Vendosni fjalën kyçe....

16.000 km/ Maratonomaku britanik mahnit botën, përshkon gjithë bregun e Afrikës


Maratonomaku britanik Russ Cook ka përfunduar udhëtimin e tij prej 16,000 km përgjatë bregut perëndimor të Afrikës, pasi ka përshkuar 16 vende në 352 ditë.

Atleti 27-vjeçar, i cili e quan veten ‘Hardest Geezer’, filloi sfidën e tij të bamirësisë prillin e kaluar, duke u nisur nga fshati bregdetar jugor L’Agulhas në Afrikën e Jugut.

Që atëherë ai ka vrapuar më shumë se 16,000 km përgjatë bregut perëndimor të kontinentit përpara se të përfundojë në Ras Angela, Tunizi në pikën më veriore të Afrikës të dielën.

Cook mblodhi më shumë se 870,000 dollarë për kauza të ndryshme, me të ardhurat për The Running Charity, e cila ndihmon të rinjtë e pastrehë dhe Sandblast, që ofron ndihmë për njerëzit e zhvendosur nga Saharaja Perëndimore.

“Personi i parë që vrapoi në të gjithë gjatësinë e Afrikës. Misioni i përfunduar,” postoi vrapuesi britanik në X.

Cook u përball me disa sfida gjatë udhëtimit të tij epik, duke përjetuar probleme me stomakun gjatë fazave të hershme dhe duke u detyruar të bënte një pushim në ditën e 45-të pasi mjekët gjetën gjak dhe proteina në urinën e tij. Dhimbja e shpinës gjithashtu pengoi përparimin në ditën e 200-të.

Atleti u grabit teksa vraponte në Angola më 24 qershor, ku autorët i morën atij dhe ekipit të tij mbështetës kamera, telefona, para, pasaporta dhe viza.

Vizat e munguara shkaktuan probleme në ditën e 278-të të udhëtimit ndërsa Cook u përpoq të kalonte kufirin algjerian, por ambasada britanike në Algjer ndërhyri për të siguruar që sfida të vazhdonte.