Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Korrupsioni është në qiell, bizneset e ndershme po falimentojnë


Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një deklaratë për mediat, u shpreh se biznesi është në ditën e tij më të zezë. Meta thekoi se bizneset e ndershme po falimentojnë.

Ai tha se kjo ndodh, për shkak se në treg ka shumë biznese, që kanë parësor pastrimin e parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Meta akuzoi Ramën se po çon në faliment bizneset e ndershme, teksa ka përqendruar pasurinë e vendit në duart e pak njerëzve.

“Bizneset e ndershme po falimentojnë, duke lënë pa të ardhura mijëra qytetarë. Mbyllja e bizneseve godet të gjitha shtresat e shoqërisë. Me këto ritme, në 10 vitet e ardhshme do falimentojnë të gjitha bizneset e ndershme. Rama po përqendron pasurinë tek pak duar. Pastrimi i parave të korrupsionit dhe krimit të organizuar po shkatërron tregun e lirë.

Gjithashtu, edhe informaliteti është tepër i lartë, jo vetëm në vendin e punës, por edhe në transaksione. Pronat po blihen me para me prejardhje të dyshimtë. Edhe borxhi publik është rritur me shifra alarmuese. Borxhi për banor është rritur thuajse 2-fish”, u shpreh Meta.