Vendosni fjalën kyçe....

“Putini nuk është Rusia” – Nga qelia e burgut, Navalny u bën thirrje rusëve për protesta të përditshme kudo ku ndodhen


Lideri i opozitës ruse i burgosur Alexei Navalny ka publikuar një seri postimesh në “Twitter” lidhur me operacionin  ushtarak të vendit të tij në Ukrainë, duke bërë thirrje për demonstrata të përditshme në të gjithë Rusinë dhe më gjerë.

“Nuk mund të presim më. Kudo që të jeni, në Rusi, Bjellorusi apo në anën tjetër të planetit, shkoni në sheshin kryesor të qytetit tuaj çdo ditë jave dhe në orën 14:00 gjatë fundjavave dhe festave.

Nëse jeni jashtë vendit, ejani në ambasadën ruse. Nëse mund të organizoni një demonstrim, bëjeni këtë në fundjavë. Po, ndoshta vetëm pak njerëz do të dalin në rrugë ditën e parë. Dhe në të dytën – edhe më pak. Por ne duhet, duke shtrënguar dhëmbët dhe duke kapërcyer frikën, të dalim dhe të kërkojmë përfundimin e luftës.”– bën thirrje Navalny.

Ai thekson se pavarësisht se qytetarët rus duan shumë të njihen për paqe, tani për fat të keq nuk mund të njihen të tillë.

“Ne – Rusia – duam të jemi një komb i paqes. Mjerisht, pak njerëz do të na quajnë kështu tani.”– shkruan ai nga burgu i sigurisë maksimale në lindje të Moskës ku mbahet i burgosur.

Por sipas tij rusët duhet “të paktën të mos bëhen një komb njerëzish të frikësuar e të heshtur” që “bëjnë sikur nuk e vënë re luftën”.

Ai shton: “Është dekada e tretë e shekullit të 21-të dhe ne po shikojmë lajme rreth njerëzve që digjen në tanke dhe shtëpi të bombarduara.”

Navalny shton se rusët po shikojnë në televizione kërcënimet reale për të nisur një “luftë bërthamore”.

Opozitari rus thekson se “Putini nuk është Rusia”.

Navalny ka kaluar një vit pas hekurave pasi i mbijetoi një sulmi helmues për të cilin fajëson Kremlinin. Muajin e kaluar ai doli në gjyq me akuza të reja që mund të rrisin kohën e tij të burgut për më shumë se një dekadë.