Vendosni fjalën kyçe....

SHBA miraton shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Turqi dhe F-35 në Greqi


Qeveria amerikane ka miratuar shitjen prej 23 miliardë dollarësh (18 miliardë paund) të 40 avionëve të rinj luftarakë F-16 në Turqi, një veprim që ishte vonuar gjatë pasi Ankaraja ratifikoi pranimin e Suedisë në NATO.

Marrëveshja përfshin komplete modernizimi për 79 F-16 ekzistues turk.

Departamenti Amerikan i Shtetit i tha Kongresit se kishte miratuar gjithashtu shitjen e 40 avionëve luftarakë F-35 në Greqi, me kosto 8.6 miliardë dollarë, sipas BBC.

Turqia ratifikoi pranimin e Suedisë në NATO pas më shumë se një viti vonesë që shkaktoi tension në aleancë.

Për herë të parë, ajo bëri kërkesën për avionët në vitin 2021, por vonesa e saj në ratifikimin e ofertës suedeze për NATO-n doli të ishte një pengesë e madhe. Turqia ishte e shqetësuar për atë që e quajti mbështetjen e Suedisë për separatistët kurdë.

Por deputetët turq ratifikuan ofertën e Suedisë këtë javë dhe presidenti turk Tajip Erdogan dha nënshkrimin e tij përfundimtar.

Presidenti i SHBA Joe Biden më pas kërkoi që shitja e F-16 të miratohej “pa vonesë”.

Pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022 rriti rëndësinë e Turqisë si një mburojë e NATO-s në rajonin e Detit të Zi.

“Aprovimi im i kërkesës së Turqisë për blerjen e avionëve F-16 ka qenë i kushtëzuar nga miratimi i Turqisë për anëtarësimin e Suedisë në NATO”, tha senatori demokrat Ben Cardin, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, një nga katër komitetet kryesore që duhet të miratojë transferimet e armëve.

“Por mos bëni gabim: ky nuk ishte një vendim që e mora lehtë.”

Ai tha se rekordi i të drejtave të njeriut të Turqisë duhet të përmirësohet, si dhe të bëjë më shumë për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës.

Tani Hungaria është i vetmi anëtar i NATO-s që ende nuk ka ratifikuar pranimin e Suedisë, megjithëse kohët e fundit ka pasur shenja përparimi.

Vitin e kaluar, SHBA miratoi transferimin në Ukrainë të avionëve luftarakë F-16 të prodhimit amerikan nga Danimarka dhe Holanda, pasi pilotët ukrainas të trajnohen plotësisht për t’i operuar ato.