Vendosni fjalën kyçe....

Diaspora kthehet në Tiranë/ Rama: Nesër nis edicioni i katërt, fokus te suksesi dhe raporti i ri i SIGMA-s


Kryeministri Edi Rama ka zbuluar detaje nga edicioni i katërt i Samitit të Diasporës, i cili nis zyrtarisht punimet nesër, më 13 prill, në Tiranë.

Përmes podcast-it të tij “Flasim”, kreu i qeverisë theksoi se ky samit vjen në një moment historik, duke qenë i pari që organizohet pas zyrtarizimit të votës së diasporës për zgjedhjet e ardhshme të 11 majit.

Sipas Ramës, fokusi i këtij takimi të madh do të jetë te vlerësimi i arritjeve të shqiptarëve nëpër botë dhe transformimi i diasporës nga një forcë simbolike në një partner konkret zhvillimi.

“Vëmendja do të jetë te njerëzit dhe te historitë e tyre të punës, të suksesit dhe përkushtimit, që janë edhe histori krenarie shqiptare anembanë. Sfida jonë është të strukturojmë një rrjet të tërë zemrash që rrahin për Shqipërinë anembanë,” u shpreh kryeministri.

Një tjetër lajm i rëndësishëm i ndarë nga Rama lidhet me procesin e integrimit dhe luftën kundër korrupsionit.

Ai njoftoi se Shqipëria ka marrë një raport pozitiv nga instrumentet profesionale të BE-së (SIGMA dhe OECD) lidhur me sistemin e prokurimeve publike. Sipas tij, shifrat e këtij raporti dëshmojnë progresin e bërë, duke e renditur Shqipërinë në krye të rajonit për përmirësimet e realizuara.

“Shqipëria spikat me përmirësimet e saj dhe përmes shifrave e fakteve do i tregojmë edhe publikut sesa larg janë ato që thuhen e stërthuhen duke ushqyer një perceptim negativ lidhur me raportin e Shqipërisë me korrupsionin,” deklaroi Rama, duke mbrojtur integritetin e reformave të ndërmarra.

Kryeministri u ndal edhe te performanca ekonomike e vendit, duke nënvizuar se gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria ka arritur të thithë investime të huaja në nivele që tejkalojnë mesataren e rajonit në raport me madhësinë e ekonomisë.

Ai e cilësoi këtë si një dëshmi të besimit të shtuar të investitorëve dhe të stabilitetit të brendshëm, ndërsa ftoi diasporën që të bëhet pjesë aktive e këtij transformimi ekonomik përmes investimeve dhe ekspertizës së tyre.