Vendosni fjalën kyçe....

Bonusi i bebeve, kusht qëndrimi 180 ditë në Shqipëri, të dhënat do merren nga TIMS


Qeveria synon tashmë që bonusi i bebeve të shkojë tek familjet që jetojnë realisht në Shqipëri duke eliminuar kështu përfitimin e atyre që nuk jetojnë më në vend.

Në një vendim të miratuar nga Këshilli i Ministrave, janë bërë ndryshime ku përfshin si kusht qëndrimin 180 ditë në Shqipëri në vitin paraardhës për prindërit e foshnjave të sapolindura. Këto të dhëna do të merren nga sistemi TIMS.

‘Prindi/prindërit e foshnjës së porsalindur, shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të paktën 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë kalendarike të vitit paraardhës, sipas të dhënave të sistemit TIMS dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile.’- thuhet në vendimin e qeverisë.

Një tjetër element që shtohet është përfitimi i këtij bonusi nga ata të huaj që janë vendosur në Shqipëri si azilkërkues apo refugjatë të cilët vendosin që shtetësia e fëmijës së tyre të jetë shqiptare.

‘Prindi/prindërit me shtetësi tjetër, të cilët janë rezidentë të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë, të cilëve nga shteti shqiptar u është dhënë statusi i refugjatit, i mbrojtjes plotësuese ose i azilkërkuesit dhe vendosin t’i japin foshnjës shtetësi shqiptare, sipas ligjit për shtetësinë shqiptare, dhe e regjistrojnë si shtetas shqiptar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.”.- thuhet në vendimin e qeverisë.

 

Vendimi

 

PËR NJË SHTESË DHE NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.288, DATË 10.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS DHE TË PROCEDURËS SË DHËNIES SË NDIHMËS SË MENJËHERSHME FINANCIARE PËR FOSHNJAT E PORSALINDURA DHE MËNYRËN E BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET INSTITUCIONEVE TË SHËRBIMIT SPITALOR DHE ATYRE TË GJENDJES CIVILE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

  1. Në vendimin nr.288, datë 10.4.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
  2. a) Pika 1, e kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Ndihmën e menjëhershme financiare (bonusi) sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, e përfitojnë:

  1. a) prindi/prindërit e foshnjës së porsalindur, shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të paktën 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë kalendarike të vitit paraardhës, sipas të dhënave të sistemit TIMS dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile.
  2. b) prindi/prindërit me shtetësi tjetër, të cilët janë rezidentë të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë, të cilëve nga shteti shqiptar u është dhënë statusi i refugjatit, i mbrojtjes plotësuese ose i azilkërkuesit dhe vendosin t’i japin foshnjës shtetësi shqiptare, sipas ligjit për shtetësinë shqiptare, dhe e regjistrojnë si shtetas shqiptar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.”.
  3. b) Në kreun III, pas pikës 26 shtohet pika 26/1, me këtë përmbajtje:

“26/1. Për përfitimin e ndihmës së menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura, në çdo rast, prindi/prindërit, krahas dokumentacionit të përcaktuar në këtë vendim, paraqesin edhe  formularin e vetëdeklarimit, që jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.

  1. c) Në fund të vendimit shtohet aneksi nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
  2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.