Vendosni fjalën kyçe....

Në 2026 ngrihet regjistri me pasuritë e milionerëve, prej 2024 aksion ndaj informalitetit në disa sektore



Lufta ndaj informalitetit do të jetë në fokus të qeverisë edhe për 3 vitet e ardhshme. Në draftin paraprak të Reformave Ekonomike 2024-2026,  sipas Shqiptarja.com një nga pikat kryesore që do të jetë në qendër të vëmendjes është aksioni kundër evazionit fiskal.

Lufta ndaj këtij fenomeni që ka nisur prej vitesh do të përqendrohet në 6 shtylla, me synim reduktimin e punësimit në të zezë, uljen e rasteve me paga të nëndeklaruara, reduktim të mashtrimit tatimore, rritje e sigurisë tatimore, hetim i pasurisë së pajustifikuar si dhe masa në pagimin e TVSH-së e deri tek përmirësimi i shërbimeve nga Administrata Tatimore.

Përgjatë vitit 2024, Ministria e Financave parashikon të vijohet me aksionet kundër ekonomisë gri, nëpër sektorë të ndryshëm, do bëhet një fushatë për regjistrimin e bizneseve për të qëllim të TVSH-së, do ketë konsulencë nga Administrata tatimore Suedeze, për trajtimin e shmangies së taksave për tatimpagueset e rinj.

Do të avancohet më tej në vitin 2025, ku është planifikuar të ngrihet një plan i detajuar për të frenuar mosdeklarimin real të pagave si dhe do të punohet që deklaratat e TVSH-së dhe tatimit mbi të ardhurat personale të jenë të para-plotësuara.

Ndërsa në 2026-ën, planifikohen të merren masa ekstra për uljen e pagesave në cash në ekonomi, për shkak se qarkullimi i lartë i parasë fizike shton informalitetin si dhe do të ngrihet regjistri i pasurive të tatimpaguesve ku do të përfshihen pasuritë e luajtshme e paluajtshme. 

Ky regjistër ishte parashikuar të ngrihej në 2025-ën dhe ka si qëllim vlerësimin real të pasurisë së tatimpaguesve, si dhe ndërtimin e një sistemi për verifikimin dhe gjurmimin e të ardhurave të tatimpaguesve, kjo në kuadër të justifikimit të pasurisë së vënë. 

Në regjistër fillimisht do të listohen më të pasurit, për tu zgjeruar më pas me të tjerë.

Në draft duke ju referuar Indeksit të Politikës së Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme të OECD- 2022 thuhet se- “Informaliteti shquhet si një pengesë parësore për avancimin e qëndrueshëm të bizneseve formale dhe, rrjedhimisht, të ekonomisë në përgjithësi”.

Referuar të dhënave të INSTAT në fund të vitit 2022, më shumë se 28% e të punësuarve në vend, ishin informal, dhe me paga të nën-deklaruara, ndërsa një nga sektorët që është evidentuar më së shumti këtë vit për nivelin e lartë të abuzimit, është turizmi, ku rreth 47% e strukturave akomoduese ushtrojnë aktivitetin të pa-certifikuara.

Për të lexuar dokumentin e plotë të draftit kliko këtu