Vendosni fjalën kyçe....

“Opozita synon zgjedhjet lokale, protestat s’do jenë shëtitje në Bulevard. Berisha e Meta dinë të fitojnë” – Paloka


Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së ka dhënë hollësi sot lidhur me aksionin opozitar dhe përgatitjen për zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Në një intervistë për emisionin ‘Kjo Javë’ në News24, Paloka tha se selia blu po verifikon strukturën, po merret me anëtarësime të reja dhe shumë shpejt do kalojë në primare.

Po kështu zyrtari demokrat ka folur edhe për bashkëpunimin me Partinë e Lirisë.

“Si PD jemi në një proces intensiv për verifikimin e strukturës, për anëtarësime të reja, për vendosjen e piketave të strukturës sonë. Për të filluar një betejë, edhe një ushtri duhet të dijë sa ushtarë ka para se të shkojë në luftë. Shumë shpejt do kalojmë në primare. Do ta vendosim si do bashkëpunojmë. Gjithmonë në raste të tilla duhen menduar mirë formulat si hyhet. Nëse në 25 prill do kishim menduar pak më gjatë në bashkëpunimin me LSI, rezultatet do ishin më ndryshe. Duhet menduar mirë mënyrën si shkohet për arritjen e rezultatit optimal, e rëndësishme është që jemi bashkë, jo vetëm PD me PL, por dhe një front më i gjerë që po luftojmë dhe synojmë ta zgjerojmë. Mendoj se Berisha e Meta janë dy figura që kanë treguar se kur kanë hyrë në luftë e çojnë deri në fund dhe dinë të fitojnë, ndaj them se Rama është trembur kaq shumë.” – tha Paloka.

Për sa u përket protestave, kreu i Këshillit Kombëtar të selise blu tha se ato nuk do jenë shëtitje në Bulevard, duke shigjetuar protestat e organizuara nga ish-kreu i partisë, Basha.

“Protestat janë pjesë e kësaj strategjie. Dhe gjatë verës ne kemi qenë, 7 korriku ishte një provë folëse për opozitën. Unë kam qenë nga ata që i kam thënë Berishës mos ta bëjë këtë protestë, rezultoi që shqiptarëve iu ka vajtur aty ku nuk mban. Tani është më shumë se koha optimale. Për fat të keq gjërat po shkojnë gjithnjë e më zi. Shihni çfarë po ndodh me ekonominë. Një rini që ikën përditë, kushtet që përkeqësohen. Gjithë energjia jonë është e lidhur me burimet ujore, s’ka lidhje as me gazin, as me krizën. Protestat janë pjesë thelbësore e strategjisë që kemi. Protestat do jenë dhe si ajo tek inceneratori e zotit Meta. Unë nuk isha për arsye personale, por të gjithë dhamë mbështetjen. Vendi ku zhvillohej protesta aq mundësi kishte për të mbledhur njerëz. Protestat e mëdha nuk do jenë thjesht një shëtitje në bulevard. Në qoftë se ne do ndërmarrim protesta më të mëdha, do kenë një skenar tjetër. Nuk do jenë shëtitje në bulevard dhe kthim në shtëpi pa arritur asgjë. protestat e mëdha do kenë një synim për të arritur një qëllim.” – tha Paloka.

Në fund të intervistës ai tha se synimi i PD-së është fitimi i zgjedhjeve lokale ndërsa theksoi se opozita do i marrë të gjitha masat për të penguar kryeministrin Rama që të manipulojë zgjedhjet.

“Ne synojmë si opozitë zgjedhjet lokale. Askush nuk beson që Rama nuk do t’i zhysë duart prapë në zgjedhje. Rama do t’i fusë duart e tij të pista nuk ka dyshim njeri. Ne do bëjmë çdo gjë për ta amortizuar këtë ndërhyrje të Ramës dhe për të fituar zgjedhjet. Sigurisht pas kësaj do ketë një reagim. Ta ketë të qartë Rama pas zgjedhjeve lokale do ikë ai në shtëpi, me të mirat dhe këqijat.” – deklaroi Paloka.