Vendosni fjalën kyçe....

Rama përgjigjet për kërkesat e opozitës: Nuk mund të ngresh komisione hetimore mbi thashetheme



Kryeministri Edi Rama u shpreh se  nuk mund të ngrejë komisione hetimore me thashetheme siç i quan ai pretendimet e opozitës, duke theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë. 

Gjatë konferencës për shtyp, ai tha se Rregullorja ka përcaktuar që një deputet përjashtohet vetëm 10 ditë edhe kur vë zjarr në Kuvend dhe përtej këtij vendimi sipas tij duhet të veprojë drejtësia.

“Përveç shgarravitjes së imazhit të Shqipërisë janë në të drejtën e tyre të bëjnë zgjedhjet e tyre. Parlamenti ka rregullat e veta, ka edhe kufizimet e veta. Në kushtet kur rregulloja e Parlamentit përjashton vetëm me 10 ditë edhe të një zjarrvënësi ne nuk na mbetet asgjë tjetër veç se me qetësi dhe durim të presim që edhe drejtësia të bëjë drejtësi mbi ata që pengojnë forcërisht ata që pengojnë punën e të tjerëve. Mënyra e ngritjes së komisioneve hetimore është vendosur qartësisht nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk do të mund të kishte shpallur komisione antikushtetuese hetimore, që do të thotë ka gabuar Kuvendi. Kur kuvendi të ngrejë një komision hetimor duhet ta ngrejë brenda një kornize kushtetuese. Nuk mund të ngresh komisione hetimore mbi thashetheme që ke ngritur vetë”, u shpreh Rama.