Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj vijon akuzat ndaj Berishës nga Patosi: Do të mbrojë veten kundër amerikanëve


Kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj zhvilloi sot një takim me demokratët në Patos.

Prej andej Alibeaj nuk kurseu sërish sulmet ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Alibeaj tha se interesi i vetëm i Berishës është të mbrojë veten kundër amerikanëve që e shpallën ‘non grata’.

Sipas tij, opozita nuk duhet të mbajë mendjen nëse thirret apo jo nga SPAK por duhet të jetë e hapur ndaj njerëzve. Një mesazh e pati edhe për demokratët që mbështesin sot Berishën duke i pyetur: ‘Kaq shpejt i harruat lotët kur mbetët rrugëve në 2013’.

Sipas Alibeajt, Berisha po i çon demokratët te Partia e Lirisë për të forcuar Ilir Metën, i cili më pas do të bëjë pazar me Edi Ramën.

“I intereson vetëm halli personal se në këtë proces ku është futur pak synime ka. Kërkon ta mbrojë kundër amerikanëve. Së dyti kërkon imunitet politik. Ne nuk kemi oligark nga mbrapa. Në shërbim të tyre janë vetëm Rama, Berisha, Meta. Opozita duhet të jetë e hapur ndaj njerëzve jo të rrijë me dorë në zemër, më thërret SPAK apo jo. Ne ofrojmë opozitë dhe nuk është pak. Këto janë sfida të mëdha në kohëra të vështira.

Shkojnë e futen në strofullën e Partisë së Lirisë. Si ka mundësi sot, në 2023, siç bëri dhe vjet më 6 mars, t’i marrë demokratët e t’i çojë tek shtëpia e Partisë së Lirisë. I harruan kaq shpejt lotët demokratët kur i hoqi nga puna qeveria e Ramës dhe Metës e i la rrugëve. I çon demokratët për të forcuar Ilir Metës që të bëjë pazar me Edi Ramën e më pas t’i lërë në rrugë”, tha Alibeaj.

Teksa Alibeaj pretendon se do dalin me rezultate të kënaqeshme në zgjedhjet e 14 majit, thotë se qëllimi i tyre është të ruajnë PD dhe ta kthejnë në ofertën më të mirë për shqiptarët.