Vendosni fjalën kyçe....

‘Sterilizimi’, GJKKO lë në fuqi masën ‘Detyrim paraqitje’ për ish-ministrin Ilir Beqaj


GJKKO lë në fuqi masën ‘Detyrim paraqitje’ për ish-ministrin Ilir Beqja

Beqaj, i shoqëruar nga avokati i tij, Ermal Yzeiri, shkoi sot në ambientet e gjykatës së Posaçme.

Kujtojmë se Beqajt iu komunikua masa ‘detyrim paraqitje’ ditën e shtunë në lidhje me çështjen e sterilizimit.

NJOFTIMI I GJKKO

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 26.10.2023 i është drejtuar Gjykatës me kërkesën me objekt: Caktimin ndaj personit nën hetim Ilir Beqaj, të masave të sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për figurën e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

2. Lidhur më shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjykata vendosi ta shqyrtoi në dhomë këshillimi pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqësore. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenin 244 pika 3 të K.Pr.Penale, ku thuhet se: “3. Gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori.”, me vendimin Nr. 119 Akti, datë 16.11.2023 vendosi: […]
1. Caktimin ndaj personit nën hetim Ilir Beqaj, të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
2. Urdhërohet personi nën hetim Ilir Beqaj që të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore z. Besnk Mesi pranë Byros Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë e premte, ora 15: 30.

3. Urdhërohet personi nën hetim Ilir Beqaj të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika1 të K.Pr.Penale “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

4. Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjerë identifikues të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim Ilir Beqaj.

5. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

6. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e marrjes dijeni për këtë vendim. […]

3. Ekzekutimit i masës së sigurimit për personin nën hetim Ilir Beqaj është bërë në datë 17.11.2023 ora 21.20. Ndodhur në këto kushte, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bazuar në nenin 248 të K.Pr.Penale më datë 18.11.2023 paraqiti në Gjykatë kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje të personit nën hetim Ilir Beqaj. Në seancën gjyqësore të datës 20.11.2023 ora 12:00, personi nën hetim Ilir Beqaj përfitoj nga e drejta për të mos dhënë deklarime në seancën e marrjes në pyetje sipas nenit 248 pika 2 të K.Pr.Penale. Ndodhur në këto kushte, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin Nr. 127 Akti, datë 20.11.2023, vendosi:

1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Ilir Beqaj, me vendimin Nr. 119, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.