
Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho, ka prezantuar raportin vjetor për punën e institucionit gjatë vitit 2025, duke theksuar rritjen e volumit hetimor dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë fjalës së tij, Braho falënderoi për besimin në detyrë dhe vlerësoi punën e paraardhësit të tij, Altin Dumani, për kontributin në forcimin e institucionit.
“Ju falënderoj për besimin në zgjedhjen si drejtues i SPAK. Falënderoj Dumanin në punën e tij në luftën kundër korrupsionit”, u shpreh ai, duke shtuar se Prokuroria e Posaçme ka konsoliduar rolin kushtetues dhe ligjor si një faktor kyç në këtë drejtim.
Sipas Brahos, gjatë vitit 2025 është shënuar rritje e ndjeshme e hetimeve, veçanërisht në aspektin financiar, si dhe janë arritur rezultate konkrete në ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë dhe grupeve kriminale.
Ai bëri të ditur se janë proceduar 24 zyrtarë të lartë për çështje korrupsioni, ndërsa theksoi se korrupsioni në nivelet e larta mbetet ende shqetësues.
Gjatë raportimit para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Braho deklaroi se janë sekuestruar rreth 1.1 milion euro pasuri nga zyrtarët e lartë.
Në total, janë regjistruar 59 vendime nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe një vendim nga Gjykata e Lartë, ndërsa numri i rekurseve në këtë të fundit ka pësuar rënie.
Sipas tij, gjatë vitit 2025 janë çuar në gjykatë 18 persona për zyrtarë të lartë, nga të cilët 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë. Po ashtu, janë regjistruar 6 procedime të reja dhe 6 hetime në këtë kategori.
Braho theksoi se SPAK ka shënuar një rritje prej 18% të rasteve të reja për korrupsion, ndërsa masat e sigurisë janë zbatuar duke e konsideruar arrestin me burg si masë të fundit.
Ai nënvizoi se pjesa më e madhe e veprave penale lidhen me korrupsionin, ndërsa pjesa tjetër me kriminalitetin, duke shtuar se lufta kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta, mbetet një sfidë e vazhdueshme për institucionin.