Vendosni fjalën kyçe....

Trump i bën thirrje Iranit për negociata, ministri i Jashtëm iranian vizitë në Rusi për mbështetje



Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Irani mund të kontaktojë drejtpërdrejt nëse dëshiron të negociojë për përfundimin e luftës dy-mujore mes dy vendeve, ndërsa ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi mbërriti në Rusi për të kërkuar mbështetje nga presidenti rus Vladimir Putin, përcjell Reuters.

“Nëse duan të flasin, mund të vijnë tek ne ose të na telefonojnë. Ka një telefon”, u shpreh Trump, duke theksuar se çdo marrëveshje duhet të përjashtojë mundësinë që Irani të zotërojë armë bërthamore.

Përpjekjet për paqe pësuan goditje pasi Uashingtoni anuloi një vizitë të të dërguarve të tij në Islamabad, mes tyre Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Ndërkohë, Araghchi zhvilloi takime me ndërmjetës në Pakistan dhe Oman, përpara se të udhëtonte drejt Moskës.

Bisedimet mbeten të bllokuara për çështje kyçe si programi bërthamor i Iranit dhe kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit, një arterie jetike për tregtinë globale të naftës. Irani kërkon njohjen e të drejtës për pasurimin e uraniumit për qëllime paqësore, ndërsa fuqitë perëndimore dyshojnë se kjo lidhet me ambicie për armë bërthamore.

Ndërkohë, tensionet kanë ndikuar edhe në tregjet globale, me rritje të çmimeve të naftës dhe pasiguri në tregjet financiare, pasi trafiku detar në Gjirin Persik është penguar.

Sipas raportimeve, Irani ka paraqitur një propozim të ri përmes ndërmjetësve pakistanezë për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe përfundimin e luftës, ndërsa negociatat bërthamore do të shtyheshin për një fazë të mëvonshme.

Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se Teherani nuk do të pranojë negociata “të imponuara” nën presion apo bllokadë, duke kërkuar fillimisht heqjen e sanksioneve dhe ndalimin e bllokadës detare nga SHBA.

Mospajtimet mes palëve shtrihen përtej çështjes bërthamore, duke përfshirë edhe rolin e Iranit në rajon dhe mbështetjen për grupet aleate si Hezbollah dhe Hamas.

Ndërkohë, përshkallëzimi i konfliktit vazhdon të ketë pasoja në rajon, ku sulmet izraelite në Liban kanë shkaktuar viktima të reja, duke e bërë edhe më të paqartë perspektivën për një marrëveshje të shpejtë paqeje.