Vendosni fjalën kyçe....

Osmani shpreh dyshime për Marrëveshjen e Brukselit mes Kurtit e Vuçiçit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur dyshimet e saj për zbatimin në praktikë të Marrëveshjes së Brukselit të  nënshkruar më 27 shkurt 2023 mes kryministrit të Kosovës, Albin Kurtit e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shkruan Lajmi.

“Ajo marrëveshje nuk është perfekte për Kosovën. I ka të mirat e saj, i ka disa gjëra që ende kam dyshimet e mia se si do të zbatohen në praktikë. Mirëpo, ne e kemi marrë obligim ndërkombëtar.” – ka thënë Osmani në një intervistë për RTK-në.

E pyetur nga gazetarja për cilën pjesë të marrëveshjes ajo ka përmendur Nenin 7 (Vetëmemanxhimi për serbët) e Nenin 10 ku bën pjesë Asociacioni.

“Natyrisht tek Neni 7, te Neni 10, sepse pyetjet janë se si saktësisht do zbatohet, por mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës”, ka sqaruar Osmani.

E pyetur nëse Kosova duhet të ulet vetëm me SHBA-në, Osmani ka thënë se fillimisht kjo duhet të bëhet kështu.

“Fillimisht. Unë mendoj që kështu është zgjidhja. Të ulemi me partnerët tanë në SHBA. Ta prezantojmë para Sekretarit të Shtetit draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e Mogherinit që garanton që Asociacioni nuk do ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan nga Chollet e Escobar, të cilët ndër të tjera sqarojnë se një trup e tillë do jetë vetëm trupë bashkërenduese, pra pa kompetenca ekzekutive.” – ka thënë Osmani.