Vendosni fjalën kyçe....

Osmani: Kosova i mirëpret me zemërgjerësi afganët, vendet e tjera demokratike të bëjnë të njëjtën gjë


Presidentja e Kosovës ka thënë se vendi i mirëpret me zemërgjerësi refugjatët afganë duke pohuar se edhe vetë ka qenë një e tillë në të shkuarën dhe e kupton situatën.

Në një intervistë për britaniken BBC, Osmani theksoi se Kosova nuk mund t’i thotë jo strehimit të afganëve që largohen nga vendi i tyre.

“Janë skena që ta thyejnë zemrën. Edhe unë kam qenë refugjate dhe përnjëmend e ndjejmë këtë çdo ditë. Por ne jemi të gatshëm dhe e treguam këtë gatishmëri pa hezitim. Numri i saktë është ende duke u diskutuar, por ne s’mund të jemi vendi që i themi jo këtyre refugjatëve, të këtyre njerëzve në nevojë kur ne kemi hapësirën dhe sa më shumë hapësirë që kemi do ta shfrytëzojmë atë për t’i strehuar ata”, tha Osmani, shkruan Lajmi.

Ajo shtoi më tej se brenda pak ditësh do mësohet koha e ardhjes së tyre ndërsa u bëri thirrje vendeve të tjera që t’i ndihmojnë afganët që po largohen nga vendi i tyre të rrezikur nga talibanët.

“Nëse ne nuk punojmë së bashku nuk do të jemi në gjendje të korrim sukses. Edhe në rastin e Kosovës u tregua kjo. Vetëm kur SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe anëtarët e tjerë të NATO-s së bashku mundën regjimin e Millosheviçit e sollën paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Nëse Kosova, një shtet i vogël ballkanik mund ta bëjë këtë, çdo vend tjetër mund ta bëjë gjithashtu. Ne vetëm duhet të tregojmë zemërgjerësi.” – tha Osmani.