Vendosni fjalën kyçe....

Kryesia i përgjigjet Bardhit: Veprimet e Sekretarit flagrante, të shtunën demokratët zgjedhin kryetarin


Kryesia e PD-së i është përgjigjur Gazment Bardhit dhe deputetëve që e mbështesin pak orë para mbedhjes së paralajmëruar të Këshillit Kombëtar nga ana e Bardhit.

Në deklaratën zyrtare thuhet se reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm lidhur me mbledhjen përmes mediave është përpjekje për të fshehur të vërtetën.

Në reagim thuhet gjithashtu se çdo pretendim i Bardhit për mbledhjen e Këshillit Kombëtar është i sajuar e po përdoret për arsye personale politike.

Ditën e djeshme me datë 26.07.2023 Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës në Partinë Demokratike mori në shqyrtim kërkesën e Kryesisë së Partisë për vlerësimin e përputhshmërisë së Vendimit numër 59, datë 22.07.2023 të Sekretarit të Përgjithshëm me titull “Për thirrjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë”. Në vendimin e shkurtuar, të publikuar mediatikisht, i cili i është dërguar elektronikisht edhe Sekretarit të Përgjithshëm, Komisioni shprehet se nuk provohet miratimin i kësaj rregulloreje nga Këshilli Kombëtar duke vendosur edhe shfuqizimin e vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm. Në reagimet e tij pas marrjes dijeni për vendimin e shkurtuar, Sekretari i Përgjithshëm ngre pretendimin se lajmi për miratimin e kësaj rregullore është publik dhe i shpërndarë gjerësisht nga organet mediatike. Ky reagim i Sekretarit të Përgjithshëm është një përpjekje për të fshehur të vërtetën e mosekzistencës së rregullores në tërësi dhe pikës 7 të nenit 9 në veçanti. Fakt ështe se nuk ekziston asnjë akt miratimi i kësaj rregulloreje dhe madje as në draft dokumentin e publikuar në media nuk ekziston asnjë pikë 7 e nenit 9 siç është pretendimi mbi bazën e të cilit është thirrur mbledhja e Këshillit Kombëtar. Në këto kushte çdo pretendim i tij për mbledhjen e Këshillit Kombëtar bazuar në këtë pikë të nenit 9 është i sajuar dhe po përdoret nga z Bardhi për arsye personale politike.” – shkruhet në reagim.

Në fund sipas kryesisë veprimet e Bardhit bien në kundërshtim me vendimin e Komisionit të Apelimit dhe janë shkelje flagrante e statutit të PD-së.

Reagimi thekson se PD-ja do vijojë rrugën për riorganizimin dhe ringritjen e strukturave në çdo nivel dhe se procesi është i pashmangshëm e i domosdoshëm.

Kryerja e veprimeve aktive për organizmin e mbledhjes së Këshillit Kombëtar nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm, në kundërshtim me vendimin e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës është shkelje flagrante dhe e hapur e Statutit të Partisë Demokratike. Partia Demokratike do të vijojë rrugën e saj për riorganizimin dhe ringritjen e strukturave të saj të çdo niveli. Ky proces është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm për rrugëtimin e PD drejt përmbushjes së misionit te saj. Të shtunën demokratet do të zgjedhin Kryetarin e Partisë Demokratike dhe do të nisin ringritjen dhe riorganizimin e saj.” – mbyllet reagimi i kryesisë.