Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Na quajtën shërbëtorë të Serbisë, por PD furnizonte me naftë regjimin e Millosheviçit



Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një takimi në Lezhë, sulmoi kundërshtarët politikë duke deklaruar se Partia Socialiste e Shqipërisë ka qenë forca e vetme politike që nuk është larguar asnjëherë nga mbrojtja e interesit kombëtar.

Në fjalën e tij, Rama tha se socialistët janë përballur me sulme të vazhdueshme që nga fillimi i pluralizmit, ndërsa akuzoi opozitën për standarde të dyfishta në raport me çështjet kombëtare.

“Ne nuk kemi lëvizur asnjë milimetër nga mbrojtja e interesit të vendit. Kjo është ajo që na ndan nga kundërshtarët tanë politikë”, u shpreh ai.

Kryeministri kujtoi akuzat e hershme ndaj Partisë Socialiste, e cila sipas tij është etiketuar padrejtësisht si e lidhur me Serbinë. Rama deklaroi se realiteti ka treguar të kundërtën, duke akuzuar rivalët politikë se kanë shkelur embargon ndërkombëtare ndaj regjimit të Slobodan Milošević.

“Ata e sulmuan brutalisht PS si parti e lidhur me Serbinë, shërbëtore e Beogradit, por e vërteta tregoi diçka krejt tjetër, se pikërisht ata që rrihnin gjoksin ditën dhe gjuanin me gurë PS, natën thyenin embargon e botës demokratike ndaj Millosheviçit dhe furnizonin me naftë makinerinë e tij të spastrimit etnik”, deklaroi Rama.

Ai u ndal gjithashtu te ngjarjet pas vitit 1997, duke theksuar se Partia Socialiste mbështeti fuqishëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës në Kosovë.

“PS, që në ditën e parë të marrjes në dorë të frenave të vendit pas katrahurës së paimagjinueshme të ’97, u bë mbështetja më e fortë, e përhershme deri në fund, deri në çlirimin e Kosovës, e UÇK-së”, tha kryeministri.

Në vijim, Rama deklaroi se edhe sot Partia Socialiste vijon të jetë objekt sulmesh nga opozita, por sipas tij kjo nuk ndryshon faktin se forca që ai drejton ka mbajtur një qëndrim të pandryshuar në mbrojtje të interesit kombëtar gjatë gjithë historisë së saj politike.