Vendosni fjalën kyçe....

PD miraton ndryshimet në statut, mbetet në fuqi “neni Basha”



Kuvendi Kombëtar i Partia Demokratike e Shqipërisë ka miratuar sot në parim, nen për nen dhe në tërësi ndryshimet në statutin e partisë, duke sjellë një sërë risish në organizimin dhe funksionimin e saj.

Një nga pikat që mbetet e pandryshuar është i ashtuquajturi “neni Basha”, i cili parashikon se kryetari i partisë duhet të japë dorëheqjen në rast humbjeje në zgjedhje.

Ndryshimet e reja parashikojnë ngritjen e një Komisioni të Seleksionimit të Kandidaturave për deputetë dhe kryetarë bashkish, i cili do të funksionojë si strukturë autonome dhe do të filtrojë kandidaturat përpara se ato t’i nënshtrohen procesit të primareve. Kjo do të thotë se kandidatët do t’i nënshtrohen fillimisht një verifikimi paraprak, përpara se të dalin për votim nga anëtarësia.

Gjatë prezantimit të ndryshimeve statutore, drejtuesit e partisë theksuan se qëllimi kryesor është forcimi i demokracisë së brendshme dhe rritja e rolit të anëtarësisë në vendimmarrje.

“Statuti garanton funksionim demokratik dhe e vendos pushtetin në duart e anëtarëve, jo të strukturave të ngushta drejtuese. Ky është parimi që duhet ruajtur, sepse PD është e vetmja forcë ku vullneti i anëtarit ka peshë reale në vendimmarrje”, u tha gjatë diskutimeve në Kuvend.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me rritjen e përfaqësimit të diasporës. Sipas statutit të ri, 15% e vendeve në organet drejtuese të partisë dhe në listat e kandidatëve do t’u rezervohen përfaqësuesve të diasporës shqiptare.

Po ashtu, Kuvendi miratoi rritjen e kuotës së përfaqësimit të grave dhe vajzave nga 30% në 40%, një masë që sipas drejtuesve demokratë synon të forcojë rolin e grave në strukturat politike dhe vendimmarrëse të partisë.

Ndryshimet prekin edhe organizimin bazë të partisë, duke synuar përmirësimin e funksionimit të grupseksioneve dhe nëndegëve, si dhe forcimin e Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve. Gjithashtu, parashikohet një koordinim më i ngushtë mes degëve të partisë dhe të zgjedhurve vendorë, veçanërisht këshilltarëve bashkiakë.

Ndër pikat e tjera të miratuara janë njohja e statusit të barabartë për organizatat partnere të partisë, mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve dhe saktësimi i procedurave për shkarkimin e kryetarëve të degëve, duke u dhënë atyre më shumë garanci për qëndrueshmëri në detyrë.

Sipas drejtuesve të Partisë Demokratike, paketa e re statutore synon ta bëjë partinë më të hapur, më përfaqësuese dhe më të lidhur me anëtarësinë në të gjitha nivelet e organizimit të saj.