
Sali Berisha deklaroi gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike se e kishte parashikuar që forca politike që drejton do të përballej me sfida të vështira, por theksoi se besimi i tij tek anëtarët dhe mbështetësit e PD-së nuk është lëkundur asnjëherë.
Ai pranoi se në rrugëtimin e tij politik ka bërë gabime, duke shtuar se askush nuk është i përjashtuar prej tyre, por sipas tij e rëndësishme mbetet aftësia për t’i korrigjuar. Megjithatë, Berisha theksoi se në një aspekt nuk ka gabuar kurrë: besimin tek demokratët dhe përkushtimin e tyre ndaj partisë.
Në fjalën e tij, ai e cilësoi Partinë Demokratike si një forcë politike të ndërtuar mbi vlera dhe parime, duke nënvizuar se ajo nuk mund të blihet apo të shitet. Berisha gjithashtu përdori një gjuhë të ashpër politike ndaj qeverisë, duke deklaruar se opozita do të synojë përmbysjen e asaj që ai e quajti “diktatura e Edvin Ballukut”, në një referencë ironike ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku.
Gjatë Kuvendit, Berisha përshëndeti edhe përfaqësues të partive simotra dhe figura ndërkombëtare të pranishme, duke theksuar bashkëpunimet historike të PD-së me partnerët konservatorë europianë dhe gjermanë.
Në përfundim të fjalës së tij, ai nënvizoi se Partia Demokratike, sipas tij, mbetet një forcë politike e bazuar te idealet dhe rezistenca politike. “Kjo parti është për vlera, nuk shitet dhe as nuk blihet. Sa herë rrëzohemi, ngrihemi përsëri”, u shpreh Berisha.