
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga foltorja e Kuvendit Kombëtar të PD-së, lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se opozita nuk do të lejojë mbylljen e asaj që ai e quajti “dosja Balluku”.
Gjatë fjalës së tij, Berisha krahasoi investimet infrastrukturore të qeverive të mëparshme me ato aktuale, ndërsa akuzoi kryeministrin se po mbron Ballukun për shkak se, sipas tij, çështja lidhet drejtpërdrejt me përgjegjësitë e vetë Ramës.
“Shikoni rrugë e tyre të ndërtuara 13 vite më parë dhe rrugët e Rama-Ballukut si të kashtës se si shemben njëra pas tjetrës. Nuk ka ndodhur ndonjëherë, nuk është imagjinuar që SPAK të kërkojë imunitetin e një zv.kryeministri dhe kryeministri e mbron. Se Rama mbron krimet e tij. Dua t’i them këtu; ti mendon se i mbylle dosjet, por ne ato dosje s’do t’i mbyllim kurrë. Edi Rama, beteja jonë do të jetë ajo që nuk ke parë asnjëherë. Je kapur si plaçkitës i votës, hajdut i fondeve, ke zero legjitimitet!”, deklaroi Berisha.
Në vijim të fjalës së tij, kreu i demokratëve pretendoi se qeveria, në bashkëpunim me faktorë të tjerë, ka ndërmarrë një fushatë për dobësimin e opozitës, duke përmendur humbjen e simboleve zyrtare të partisë, kufizimet financiare dhe izolimin politik si pjesë të kësaj përpjekjeje.
Sipas Berishës, Partia Demokratike nuk u tërhoq përballë këtyre sfidave, por vijoi betejën politike në mbrojtje të pluralizmit dhe vlerave demokratike. Ai vlerësoi mobilizimin e mbështetësve të PD-së në momentet më të vështira, duke e cilësuar atë si dëshmi të qëndrueshmërisë së forcës politike që drejton.
Berisha deklaroi gjithashtu se në një periudhë relativisht të shkurtër, PD ka rikthyer marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë të qendrës së djathtë, ndërsa theksoi se organizata të rëndësishme politike europiane dhe botërore kanë mbështetur kauzat e opozitës shqiptare.
Në mbyllje të fjalës së tij, ai u shpreh se demokratët kanë lënë pas periudhën e izolimit politik dhe se Partia Demokratike ka dëshmuar aftësinë për t’u ringritur pas çdo sfide.
“Historia e këtyre viteve tregoi se Partia Demokratike nuk u dorëzua dhe nuk pranoi të zhdukej. Ju keni dëshmuar se jeni një forcë që di të rezistojë dhe të ringrihet pas çdo sfide”, tha Berisha para delegatëve të Kuvendit Kombëtar të PD-së.