Vendosni fjalën kyçe....

‘Mushkonjat’ sërish mollë sherri, 6 ankesa të tjera për vlerësimin në tender


Kontratat e shërbimit të dezinsektimit në zonat bregdetare dhe urbane të cilat janë prokuruar nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara vijojnë të mbeten rrugëve duke lënë kështu pezull edhe marrjen e shërbimit, teksa pushuesit, shumë prej të cilëve janë të huaj, po detyrohen të bashkëjetojnë me mushkonjat në zona të mbipopulluara këtë verë si në Durrës, apo Shëngjin.

Pranë Komisionit të Prokurimit Publik vetëm gjatë korrikut u paraqitën të paktën shtatë ankesa që lidhen me vlerësimin që është bërë për procedurën e prokurimit. Pra operatorët kanë pretendime për mënyrën sesi është bërë vlerësimi i ofertave.

Kështu të ankimuara janë procedurat me objekt kontrate “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Lezhë”, “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Durrës”, “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Shkodër”, “Sherbim Dezinsektimi ne zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Vlore”., Për disa prej këtyre procedurave ka më shumë se një ankesë duke çuar numrin në 7.

Kjo nuk është hera e parë që këto procedura përfundojnë të ankimuara në KPP. Më herët gjatë prillit u ankimuan të gjashtë lotet e kësaj procedure që përfshinin: “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Shkodër”, “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Lezhë, “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Tiranë”, Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Durrës”, “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Fier”, “Shërbim Dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Vlorë”.

Ankesat në këtë fazë më të hershme kishin të bënin me dokumentet e tenderit ku zakonisht operatorët kanë pretendime mbi kushtet që vendosën nga autoritetet kontraktore. Zvarritja nëpër ankimime e procedurës ka lënë zonat bregdetare të pa dezinsektuara dhe sidomos me nisjen e sezonit veror ankesat e turistëve kanë qenë në rritje për praninë e lartë të mushkonjave.

Procedura e prokurimit me gjashtë lote është bërë mollë sherri dhe fondi limit i saj referuar procedurës së çelur në fund të prillit është 120 milionë lekë apo pak më shumë se 1 milionë euro për të gjithë këto lote./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor