Vendosni fjalën kyçe....

Arlind Qori bëhet i pari kryetar në opozitë që denoncon projektin Rama-Trump në Sazan


Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë është bërë i pari kryetar në opozitë që ka denoncuar projektin Rama-Kushner në Sazan dhe Zvërnec.

Ndërkohë që pjesët e tjera të partive edhe atyre parlamentare në opozitë heshtin për projektin ose ndoshta në vetëm deklarimin në parim si ai i deputetes së PD-së Jorida Tabaku, Qori nëpërmjet dy postimeve ka denoncuar këtë projekt.

Qori i ka drejtuar tetë pyetje kryeministrit Edi Rama mbi projektin, mbi statusin e dy zonave të Sazanit dhe Zvërnecit, paravendosjen e investitorëve apo edhe kritereve të investimit, favorizimin e një biznesmeni me shpresën për të marrë në këmbim mbështetje në rast rizgjedhjes së Trump apo edhe përfitime nga oligarkë shqiptare.

1. A janë Sazani dhe Zvërneci zona të mbrojtura, të cilave do t’u hiqet ky status për të lejuar investimet?

2.Cili do të jetë impakti mjedisor i këtyre investimeve?

3.Nëse të tilla zona mund të hapen për investime, pse nuk ka një thirrje ndërkombëtare për investitorë turistikë? Ndoshta do të vinin oferta më të dobishme për shtetin shqiptar sesa ajo Kushner-Kastrati.

4.Pse janë paravendosur investitorët përpara kritereve të investimit?

5.A e konsideron Shqipërinë plaçkë që mund ta nxjerrësh në pazarin e madh të botës për të fituar mbështetje të pamerituar ndërkombëtare?

6.A po e tjetërson ai interesin publik për hir të përfitimeve politike që do të siguronte në rast të rizgjedhjes së Donald Trump-it president i SHBA?

7.A po e tjetërson ai interesin publik për hir të mbështetjes financiare të oligarkut Kastrati?

9. Cilat janë zonat e tjera të mbrojtura që do të hapen për investime dhe a janë të paravendosur investitorët si në këtë rast?”- i drejtohet drejtuesi i Lëvizjes Bashkë, Edi Ramës.

Në një postim tjetër, Qori thotë se Lëvizja Bashkë nuk duhet bërë pjesë nga gazetarët në një vorbull me partitë e tjera, pasi e ka denoncuar projektin Rama-Trump ndryshe nga paritë e tjera tradicionale apo ato të krijuara rishtas.

Më habit fakti që disa gazetarë, të cilët i bëjnë nder vetes duke kundërshtuar allishverishin e Ramës me ishullin e Sazanit dhe Zvërnecin, cedojnë profesionalisht kur i fusin të gjitha partitë në të njëjtin thes të mosdenoncimit. Ky cedim vjen prej dy arsyesh:

1.Përtesa për të hedhur sytë në të vërtetën e thjeshtë dhe përcëlluese se unë dhe Lëvizja BASHKË kemi dy ditë që i kundërvihemi këtij alllishverishi, duke mos kursyer as Ramën, as Berishën, as enturazhin e Trampit, as Kastratin.

2.Përdorimi i kategorisë shterpë të partive “të reja”. Partitë nuk ndahen sipas moshës, por në parime, qëndrime, konsekuencë e guxim. Në këtë kuptim, Lëvizja BASHKË është kategori më vete”-shkruan Qori.

Qori në aktivitetin e tij në rrjetet sociale ka folur dhe denoncuar projektin Rama-Trump që prej publikimit të shkrimit.

Në një postim me disa pika konkrete ai shpjegon atë që kuptohet nga projekti duke përmendur drejtpërdrejt fjalën përvetësim të ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Zvëernecit për të ndërtuar kompleke turistike, përmendjen e shoqërisë Kastrati si nënkontraktor të projektit dhe përfitimet që merr Rama me dhënien e këtij projekti.

Madje Qori denoncon dhe mos denoncimin nga ana e opozitës parlamentare të projektit.

Çka mund të kuptohet deri tani nga shkrimi i Neë York Times-it.

1.Dhëndri i Donald Trump-it kërkon të përvetësojë ishullin e Sazanit dhe Zvërnecin për të ndërtuar komplekse turistike.

2.Nënkontraktori i tij pritet të jetë Shefqet Kastrati, i cili ndërkohë ka blerë një shtëpi afër rezidencës së Trump-it dhe një hotel në SHBA, duke nxjerrë nga Shqipëria 62.5 milionë euro.

3.Qeveria shqiptare nuk ka bërë publike asnjë procedurë të ndonjë konkursi a tenderi ndërkombëtar për koncesionimin e Sazanit e Zvërnecit.

4.Gjasat janë që sidomos në rast të zgjedhjes së Trump-it president dhe me ndikimin që oligarku Kastrati ka mbi Edi Ramën, këto projekte do të shkojnë përpara pa e çarë shumë kokën për rregullat e konkurrencës, përfitimet e shtetit apo impaktin mjedisor.

5.“Revolucionarët” në dritare dhe poshtë dritares kthejnë kokën nga ana tjetër pa guxuar të bëjnë as gëk, as mëk.

6.Ne si popull, edhe në këtë rast, do të mbetemi me gisht në gojë”-shkruan Qori.

Lëvizja Bashkë garoi për herë të parë politikisht për të provuar veten në zgjedhjet lokale të majit 2023, ku Arlind Qori mori një rezultat surprizë në garën për kryetar Bashkie në Tiranë.

Qori grumbulloi 13844 vota duke u bërë kandidati i tretë më i votuar në këtë Bashki. Ndërsa arriti të marrë edhe 1 këshilltar në këshillat bashkiakë.

Lëvizja Bashkë ka një prespektivë në rritje me rezultatet e marra dhe aktiviteti i saj në publik e terren mbetet evident, i vazhdueshëm dhe shpesh herë me aksione dhe protesta të organizuara për kauza të veçanta./Hashtag.al