Vendosni fjalën kyçe....

Llatja dënoncon Nokën për përplasje fizike me komisionerët në Shirgjan. Policia: Nuk na u kërkua ndërhyrja


Kandidati i PS për Bashkinë e Elbasanit, Gledian Llatja ka kallëzuar penalisht deputetin Flamur Noka. Kallëzimi është bërë për shkak të aktivitetit të sotëm të Nokës dhe konkretisht bazuar mbi të dhënat e përplasjes së tij fizike në mjediset e qendrës së votimit 2474 në njësinë administrative Shirgjan.

Llatja në kallëzim akuzon Nokën se ka konsumuar element të veprës penale që prekin dhe cenojnë zgjedhjet e lira, duke kanosur dhe ushtruar dhunë verbale ndaj anëtarëve të komisionit të qendrës së votimit, me qëllim për ti penguar në ushtrimin e detyrës së tyre.

Edhe policia ka reaguar për rastin ku thuhet se komisionerët nuk kanë kërkuar ndërhyrjen e forcave të rendit.

Më datë 14.05.2023, rreth orës 17:00, Policia është njoftuar se në Qëndrat e Votimit të fshatrave Kuqan dhe Shirgjan, drejtuesi politik i koalicionit “Bashkë Fitojmë“, deputeti F. N. ishte futur në QV-në e fshtatit Kuqan dhe ka ofenduar komisionerët, ndërsa në qendrën e votimit në Shirgjan ka tentuar të shtyjë kutitë dhe është larguar. Nga ana e komisionerëve nuk është kërkuar ndërhyrja e Policisë.

Në lidhje me njoftimin e marrë, është njoftuar menjëherë Prokurori.

Nga ana e Policisë, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë veprimet verifikuese dhe procedurale në lidhje me të dyja rastet”-njofton policia.