Vendosni fjalën kyçe....

Tre aksidente tragjike në orët e para të mëngjesit u marrin jetën tre personave, 7 viktima brenda pak ditësh


Tre aksidente tragjike kanë ndodhur mëngjesin e sotëm në vend që u kanë kushtuar jetën një gruaje 56 vjeç si dhe dy të rinjve, 25 e 43 vjeç.

Aksidenti i parë ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit në Rrugën e Kombit ku mjeti me të cilin udhëtonin dy të rinj doli nga rruga e ra 100 metra poshtë në greminë. Për pasojë humbi jetën i riu me iniciale A.Rr. ndërsa u plagosur rëndë pasagjeri Xh.L. 19 vjeç.

Makina doli nga rruga në vendin e njohur si Ura e Kolshit ndërsa duhet thënë se pjesa ku ndodhi aksidenti nuk ka pengesa mbrojtëse anash rrugës.

Aksidenti tjetër ndodhi rreth 30 minuta më vonë në rrugën Milot-Mamurras pranë mbikalimit të Shanxhakut ku pas daljes së një mjeti taksi jashtë rrugë ndërroi jetë 56-vjeçarja me iniciale P.Gj. e cila ishte pasagjere në mjet ndërsa u lënduan drejtuesi i taksisë dhe tre udhëtarët e tjerë. Mësohet se viktima e të lënduarit ishin anëtarë të një familjeje.

Viktima e tretë është një 43-vjeçar në Fier i cili u aksidentua teksa punonte tokën me zetor. Mjeti u rrëzua në një kanal duke e zënë poshtë drejtuesin Eduard Metushi, i cili ndërroi jetë.

Vetëm javën e fundit kanë ndodhur gjashtë aksidente me pasojë vdekjen në vend ku për pasojë kanë humbur jetën tre persona në Vlorë e një në Lushnjë.