Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Policia e ka marrë pushim sot, do mbrojmë çdo votë, qytetarët të dalin të votojnë


Kreu i Rithemelimit të PD-së Berisha tha se opozita po mbikëqyr e do mbrojë çdo votë të qytetarëve.

Ai doli në një deklaratë për shtyp nga selia blu ku falëndëroi qytetarët që kanë votuar e u bëri thirrje të tjerëve që të dalin e të votojnë masivisht.

Në fund Berisha tha se çdo përpjekje e administratës dhe shtetit për të manipuluar votën është e destinuar të dështojë.

“Së pari, jam këtu për të falenderuar përzemërsisht të gjithë ata qytetarë shqiptarë, që kanë ardhur nga dhjetëra e dhjetëra vende të kontinenteve të ndryshme për të firmosur sot me votën e tyre ndryshimin.

Mirënjohja ndaj tyre është e pakufishme. Së dyti, unë dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata qytetarë shqiptarë, të cilët që nga ora shtatë e mëngjesit deri në këtë kohë, janë paraqitur dhe kanë hedhur votën e tyre në kutitë e votimit. Kanë kryer një detyrë kushtetuese jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, veten dhe familjen e tyre. Së treti, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk kanë votuar, të votojnë, të paraqiten në orët në vazhdim pranë qendrave të tyre dhe të votojnë si një shërbim i jashtëzakonshëm që i bëjnë vendit, vetes dhe familjes së tyre. Së fundmi, garantoj qytetarët se opozita po mbikëqyr me sukses të plotë këtë proces. Ajo sot është më e fuqishme se kurrë. Vota e tyre ka mbrojtjen absolute të opozitës shqiptare. Çdo lloj përpjekje që po bën narkoadministrata, narkoshteti, është e destinuar të dështojë, të dështojë dhe vetëm të dështojë. Qytetarëve u them gjithashtu, policia ka marrë pushim sot, por pavarësisht nga kjo, ju votoni si njerëz të lirë. Opozita do të mbrojë votën dhe po mbikëqyr çdo votë tuajën.”  – tha Berisha.