Vendosni fjalën kyçe....

Luçiano Boçi nënshkruan memorandumin me kompaninë e pezulluar: Do hapim 2500-3000 mijë vende pune


Kandidati i koalicionit opozitar për Elbasanin, Luçiano Boçi, ka nënshkruar sot marrëveshjen me kompaninë e pezulluar F5 Finance Limited, të cilën e prezantoi ditën e djeshme para qytetarëve elbasanas.

Kompania në fjalë, është e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2020 ndërsa mban që prej asaj kohe statusin e një kompanie të pezulluar (e fjetur/dormant). (lexo dokumentin e plotë).

Pronari i vetëm i kësaj kompanie është shtetasi italian Michele Cariola, i cili ka deklaruar një kapital 7 milionë e 500 mijë paund, por deklarimi është bërë si gjendje cash, përveçse gjendje në konto bankare.

Sipas Boçit, kompania F5 Finance Limited do ngrejë rreth 180 milionë euro për realizimin e një blloku projektesh, të premtuara nga Boçi brenda mandatit të tij nëse zgjidhet kryebashkiak, projekte që sipas tij pritet të sjellin rreth 2500-3000 vende të reja pune.

“Në fakt punësimi nuk është detyra e parë e një bashkie. As rritja ekonomike. Por në kushtet e dhëna ne nuk kemi dot një terapi më të mirë për Elbasanin Një bashki pro-aktive është rruga më e mirë për t’ju përgjigjur përparësisë numër një të Elbasanit, e cila është varfëria. Sipas kësaj marrëveshje që u nënshkrua sot, shoqëria F5 Finance Limited do të ngrejë 180.5 (njëqind e tetëdhjetë pikë pesë) milion euro për realizimin e një blloku projektesh siç janë: Technopolis – parku teknologjik pranë Universitar, Qyteti i Filmit, Qendra e Pritjes dhe Trajtimit të të Moshuarve, Laboratori i Certifikimit të Produkteve Agro-ushqimore dhe Parku Tregtar i Elbasanit – brenda të cilit përfshihen Panairi Rajonal, Muzeu i Gjallë i Zejeve dhe Outleti Ndërkombëtar.” – tha ndër të tjera Boçi.

Ndërkohë drejtuesi i kompanisë së pezulluar Michele Cariola, tha se nuk bëhet fjalë për një premtim elektoral po për një angazhim të çiltër e profesional e financiar për fatin e Elbasani.

“Elbasani është një oportunitet shumë i rëndësishëm ekonomik dhe një potencial i çmuar që meriton mbështetje.” – tha Cariola.

Cariola, i cili është njëherësh përfaqësues i FederItaly për Shqipërinë, lajmëroi se Elbasani do të gëzojë mbështetjen e organizatës së tij, e cila mbron dhe promovon markën ‘Made In Italy’, për ndërtimin e markës rajonale të mbrojtur dhe të kontrolluar ‘Made in Elbasan’.