Vendosni fjalën kyçe....

Luçiano Boçi lidh kontratë me një kompani të pezulluar


Kandidati i koalicionit opozitar Luçiano Boçi prezantoi sot para qytetarëve një kontratë me një kompani konsulence të huaj, që sipas tij do të nxiste investimet në qytetin e Elbasanit.

Hashtag.al ka mundur të sigurojë kontratën e marrëveshjes në parim që ka lidhur zoti Boçi, ku të dhënat duken tejet interesante.

Që në paragrafin e parë të kontratës bie në sy fakti se zoti Boçi konsiderohet si “kryebashkiaku i ri”, fakt ky tërësisht i pavërtetë, pasi statusi i zotit Boçi është “kandidat për kryetar”.

Më tej vërehet se kompania private e biznesit me të cilën zoti Boçi ka lidhur kontratën quhet “F5 Finance LTD”, ajo është regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar  në vitin 2020 dhe mban statusin e një kompanie të pezulluar (e fjetur / dormant). (lexo dokumentin e plotë)

Pronari i vetëm i kësaj kompanie është shtetasi italian Michele Cariola, i cili ka deklaruar një kapital 7 milionë e 500 mijë paund, por deklarimi është bërë si gjendje cash, përveçse gjendje në konto bankare.

Shtetasi Michele Cariola rezulton dhe me dy biznese të tjera të hapura në Tiranë, në fushën e konsulencës financiare dhe konsulencës së dhomave të arbitrazhit.

Më herët ai rezulton se ka punuar menaxher për një tjetër financier italian me biznes në Shqipëri, i quajtur Achille Salerno, ndërsa dhe ky i fundit operonte në Tiranë në fushën e konsulencës financiare.

Në kontratën paraprake që ka lidhur Boçi me Cariolën, ky i fundit zotohet që do zhvillojë projektet e bashkisë si “seed investor”, çka do të thotë se partneri italian i zotit Boçi ka premtuar se do të investojë në projekte pilot “start-up” në ortakëri me Bashkinë e Elbasanit.

Kompania “F5 Finance LTD”, përveç gjendjes cash që deklaron se e posedon, nuk rezulton prezente në asnjë projekt të ngjashëm, ajo ka qenë një kompani “dormant”, ose e pezulluar që prej ditës kur u themelua në Mbretërinë e Bashkuar. / Hashtag.al