Vendosni fjalën kyçe....

Ministri grek i Mbrojtjes viziton nesër Tiranën, në fokus rifillimi i negociatave për detin



Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, pritet të vizitojë nesër Tiranë për bisedime të nivelit të lartë që synojnë rifillimin e negociatave mes Athinës dhe Tiranës për çështjen e kufirit detar.

Lajmi është raportuar nga media greke To Vima, e cila shkruan se gjatë qëndrimit në Shqipëri, Dendias do të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Sipas raportimit, objektivi kryesor i vizitës është ringjallja e procesit të nisur në vitin 2020, kur të dy vendet ranë dakord që mosmarrëveshja për kufirin detar të dërgohej në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Procesi mbeti i bllokuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila pengoi vijimin e procedurave, duke e lënë çështjen pezull prej vitesh.

Media greke thekson se Athina dhe Tirana po përpiqen të shfrytëzojnë klimën aktuale pozitive në marrëdhëniet dypalëshe, ndërsa Greqia mbështet përshpejtimin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas burimeve greke, presidenti Bajram Begaj shihet si i gatshëm të autorizojë bisedimet teknike të nevojshme për të çuar përpara procesin.

Në artikull thuhet gjithashtu se një nga sfidat kryesore mbetet kapaciteti teknik dhe ligjor i Shqipërisë për të përballuar një proces kompleks ndërkombëtar në Hagë, megjithëse pala greke lë të kuptohet se mund të ofrojë asistencë teknike.

Ndërkohë, kontakte të tjera diplomatike mes dy vendeve priten edhe në qershor, kur ministri i Jashtëm grek George Gerapetritis pritet të vizitojë Tiranën në kuadër të një konference ministrore për Ukrainën dhe sigurinë në Evropën Juglindore.