Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuza Ramës: Tritoli ndaj kreut të PD-së në Vaun e Dejës terrorizëm shtetëror


Kreu i Rithemelimit të PD-së Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama për terrorizëm shtetëror lidhur me shpërthimin ndaj makinës së kreut të Rithemelimit në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca, ngjarje e ndodhur mëngjesin e sotëm.

Në një konferencë për shtyp ai tha se synimi i Ramës ishte eliminimi fizik i Ndrecës dhe se kjo është mënyra e kryeministrit për të çelur fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Sot në mëngjes u krye një akt i rëndë i terrorizmit shtetëror kundër Bernard Ndrecës, kryetar i PD për Vaun e Dejës me qëllim eliminimin e tij fizik. Bernard Ndreca është një qytetar shembullor, e tillë është familja e tij. Terroristë shtetërorë, sipas regjistrimit të kamerave të shtëpisë, kanë vendosur në orën 01 e 15 tritolin në makinë e tij. Bernardi tek nisej për punë përballet me një eksploziv të tmerrshëm që i shkatërron pjesën e përparme të makinës. Fatmirësisht ai shpëtoi nga ky atentat i mirëfilltë politik. Me këtë akt terrorist Edi Rama inauguron çeljen e fushatës së tij elektorale.

Ky përbën një krim të shëmtuar, përbën një akt të pashembullt në historinë e zgjedhjeve kur një drejtues kryesor i një dege të PD-së sulmohet apo ndaj tij organizohet një atentat për likujdimin e tij. Vau i Dejës dhe mbarë Shqipëria janë sot më të vendosur se kurrë në fitoren e këtyre zgjedhjeve. Unë kam biseduar në telefon me Bernardin, me deputetin Zef Hila dhe u shpreha atyre mbështetjen time të plotë. bën përgjegjës direkt Ramën dhe ministrin e familjes, Çuçin për sjelljen e komisariatit të Vaut të Dejës së seksion të PS-së.” – tha Berisha.

Berisha tha gjithashtu se demokratët do e vijojnë betejën pavarësisht kërcënimeve dhe se koha e monizmit do marrë fund më 14 maj.