Vendosni fjalën kyçe....

Valë të mëdha protestash përfshijnë gjithë Izraelin


 

Qindra mijëra izraelitë dolën në rrugë në të gjithë vendin të shtunën për të protestuar kundër shtytjes së diskutueshme të qeverisë për të reformuar sistemin gjyqësor.

Organizatorët e demonstratave masive, të cilat u zhvilluan në qytete përfshirë Jerusalemin, Haifa, Beersheba dhe Tel Aviv shpallën të premten një ‘Javë Paralize’ për t’i rezistuar asaj që ata e quajtën një ‘përpjekje për ta kthyer Izraelin në diktaturë’.

Sipas shifrave të siguruara nga organizatorët, gjithsej 630,000 njerëz morën pjesë në tubime. Vetëm në Tel Aviv, i cili ishte vendi kryesor për aktivistët, u mblodhën rreth 200,000 protestues, thanë mediat lokale.

Protestat u shënuan gjithashtu nga një përplasje me policinë, e cila përdori makina ujëhedhëse për të shpërndarë një turmë që bllokonte autostradën Ayalon në Tel Aviv dhe arrestoi 28 persona. Një grup avokatësh që ofronin ndihmë ligjore për protestuesit pretenduan se u arrestuan gjithsej 44 aktivistë.

Mes protestave masive, ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant paralajmëroi se çështja e reformës në drejtësi është bërë gjithnjë e më përçarëse.

 

“Ndarja e thelluar po depërton në ushtri dhe në institucionet e mbrojtjes. Ky është një rrezik i qartë, i menjëhershëm dhe real për sigurinë e Izraelit”, tha ai, duke i kërkuar qeverisë të zhvillojë bisedime me opozitën.

Izraeli është përfshirë nga protestat për muaj të tërë, të shkaktuara nga planet e kabinetit të Netanyahut për të kufizuar fuqinë e Gjykatës së Lartë për të vendosur kundër degëve legjislative dhe ekzekutive të qeverisë, duke i dhënë koalicionit qeverisës një shumicë në komitetin që emëron gjyqtarët.

Të hënën, megjithatë, koalicioni i Netanyahut anuloi reformën e propozuar, duke ulur numrin e përfaqësuesve të qeverisë në komitetin gjyqësor.

Kjo erdhi pas një telefonate me presidentin e SHBA Joe Biden, i cili ‘ofroi mbështetje për përpjekjet në vazhdim për të krijuar një kompromis mbi reformat e propozuara gjyqësore në përputhje’ me parimet thelbësore të shoqërive demokratike.