
Prokurorët evropianë po hetojnë mënyrën se si Greqia ka përdorur fondet e Bashkimit Evropian për ndërtimin e kampeve për emigrantë, sipas dy zyrtarëve grekë të njohur me hetimin.
Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) po përqendron hetimin në ndërtimin e dy qendrave pritëse dhe akomoduese për emigrantë gjatë periudhës 2020–2021, në kohën e pandemisë Covid-19.
Sipas zyrtarëve, të cilët folën për POLITICO në kushte anonimiteti, kontratat në fjalë iu dhanë kompanive private pa tender publik dhe kushtuan rreth 15 herë më shumë se projekte të ngjashme, duke arritur një total prej 11.3 milionë euro.
Gazeta Kathimerini, e cila e raportoi e para rastin, bëri të ditur se kampet nën hetim ndodhen në Malakasa, një fshat në veri të Athinës, dhe në Sintiki, në rajonin verior të Serresit.
Ishujt grekë të Egjeut ishin pika kryesore e mbërritjes së emigrantëve nga Lindja e Mesme në vitin 2015, në kulmin e krizës evropiane. Kampet në Greqi u ndërtuan fillimisht nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin deri në vitin 2019. Më pas, qeveria greke mori përsipër mbikëqyrjen e këtyre projekteve, dhe kontratat aktualisht nën hetim janë ndër të parat e realizuara prej saj.
EPPO nuk komenton hetimet në vazhdim, tha një zëdhënës i saj, duke theksuar se kjo bëhet për të mos rrezikuar procedurat dhe rezultatet e mundshme.
Partitë opozitare në parlament ngritën çështjen e dy kontratave të dhëna drejtpërdrejt që në vitin 2020. Në atë kohë, qeveria konservatore e Demokracisë së Re argumentoi se rritja e flukseve të emigrantëve dhe nevoja për përfundimin e shpejtë të kampeve justifikonin procedurën pa tender.

Ish-ministri Notis Mitarachi
Megjithatë, të dhënat e UNHCR tregojnë se mbërritjet e emigrantëve në Greqi ranë ndjeshëm në vitin 2020 në rreth 15,696 persona, nga 74,649 një vit më parë.
Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Migracionit dhe Azilit në vitin 2020 tha se projekti ishte audituar si nga Komisioni Evropian ashtu edhe nga zyra e auditimit e Greqisë dhe kishte marrë raport pozitiv.
Përveç kostos së lartë, procesi u kritikua edhe sepse një zyrtar i Demokracisë së Re ishte emëruar drejtor i shërbimit teknik të ministrisë, i cili mbikëqyrte ndërtimet.
Ish-ministri i Migracionit, Notis Mitarachi, e mbrojti emërimin në parlament në vitin 2020, duke argumentuar se shërbimi teknik atëherë operonte përmes OJQ-ve që menaxhonin shumicën e fondeve të BE-së për migracionin.
Kontrata e parë nën hetim lidhet me zgjerimin e kampit në Malakasa për akomodimin e 1,500 emigrantëve të transferuar nga ishujt. Ajo u dha në prill 2020 pa tender, fillimisht me vlerë 4.3 milionë euro, por u rrit përmes të paktën pesë shtesash dhe një kontrate shtesë prej 1.7 milionë euro.
EPPO po heton gjithashtu një kontratë për qendrën në veri të Greqisë, e dhënë në korrik 2020 për një kompani teknike në Kavala me kosto fillestare 3.6 milionë euro, e cila gjithashtu u rrit përmes disa shtesave deri në përfundim, me një kosto shtesë prej 1.7 milionë euro.
Një dokument i brendshëm i një organizate ndërkombëtare të migracionit, i cituar nga Kathimerini, thekson se kostot e dy qendrave ishin shumë më të larta se projekte të ngjashme të financuara nga BE në të njëjtën periudhë.
Sipas llogaritjeve të organizatës, kostoja për një përfitues ishte rreth 23,900 euro në Malakasa, krahasuar me vetëm 270 euro në projekte të tjera të ngjashme.
Qeveria konservatore e Demokracisë së Re në Greqi po përballet me presion në rritje, pasi disa zyrtarë të saj janë përfshirë në hetime të EPPO për keqpërdorim të fondeve të BE-së, ndërsa disa ministra kanë dhënë dorëheqjen muajt e fundit për skandale të ngjashme, shkruan Politico.