Vendosni fjalën kyçe....

Murtaja e rumitantëve rikthehet në Shkodër, Dajçi në karantinë



Murtaja e rumitantëve është rikthyer në qarkun e Shkodrës pas afro një viti, duke u konstatuar në njësinë administrative Dajç. Autoritetet kanë vendosur karantinë në zonë në një rreze prej 3 deri në 10 kilometra, pas konfirmimit të rastit.

Sipas të dhënave zyrtare, rasti i parë për këtë vit është identifikuar në fshatin Mali i Gjymtit, ku rreth 20 krerë dele të fermerit Sokol Volaj janë groposur, ndërsa pritet asgjësimi i rreth 60 krerëve të tjerë në pronësi të të njëjtit fermer.

Dëmi ekonomik i shkaktuar fermerit llogaritet i konsiderueshëm, ndërsa ai ka shprehur pritshmëri për dëmshpërblim nga autoritetet përkatëse.

Ndërkohë, administratori i njësisë Dajç, Broz Pjetrani, ka deklaruar se ekzistojnë dyshime për raste të tjera të mundshme në zonë dhe se po kryhen inspektime dhe analiza shtesë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Autoritetet kanë nisur kontrolle edhe në zona të tjera të qarkut Shkodër për shkak të rrezikut të përhapjes së infeksionit. Murtaja e rumitantëve prek bagëtitë e imta, por nuk transmetohet te njerëzit.

Vitin e kaluar në Shkodër u raportuan disa raste të ngjashme, të cilat çuan në asgjësimin e bagëtive të prekura dhe vendosjen e zonave në karantinë sipas procedurave ligjore.