Vendosni fjalën kyçe....

Studentët shqiptarë në Shkup nisin protestën për mbrojtjen e gjuhës shqipe: “Të gjithë njëzëri”


Studentët e universiteteve në gjuhën shqipe në Shkup kanë nisur grumbullimin në Urën e Gurit, në kuadër të protestës së radhës për mbrojtjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet profesionale.

Protesta po zhvillohet me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë njëzëri”, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se qëllimi kryesor është garantimi i të drejtave gjuhësore për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Përmes thirrjeve publike, studentët kanë ftuar sportistë, artistë dhe figura të njohura publike që t’i bashkohen protestës në mbështetje të kauzës së tyre.

Organizatorët kërkojnë respektimin e përdorimit të gjuhës shqipe në proceset profesionale dhe institucionale, duke e konsideruar këtë një të drejtë themelore për studentët shqiptarë.

Kjo është protesta e dytë e organizuar nga studentët shqiptarë në Shkup, pas tubimit të zhvilluar më 6 prill, ku u ngritën të njëjtat shqetësime lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale dhe në institucionet shtetërore.