Vendosni fjalën kyçe....

Heqja e barrikadave në veri të Kosovës/ Reagon Rama: Shfaqja zgjati ca më shumë, po fundi qe i njëjti



Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas heqjes së barrikadave në veri të Kosovës. 

Ai shkruan se shfaqja zgjati ca më shumë, por fundi ishte i njëjtë. Pasi të gjithë shkuan në shtëpi. Rama ironizon barrikadat duke thënë se pas 434 vjetësh hyrë në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA.

“Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë!

Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare!

Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së rradhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes.”– shkruan Rama.

Për 20 ditë rresht rrugët kryesore në veri të Kosovës mbetën të bllokuara për qarkullim. Barrikadat ishin ngritur në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç, por kjo nxiti edhe më shumë tensionet mes të Kosovës dhe Serbisë.

Përveç veriut, më 27 dhjetor një barrikadë tjetër ishte vendosur në territorin e Serbisë, në afërsi të kufirit të Kosovës me Serbinë, në Merdare. Por këtë të enjte nisi heqja e barrikadave, pas garancive që Serbia thotë se ka marrë nga  BE-ja dhe SHBA-ja.