Vendosni fjalën kyçe....

Pranga të riut në Fier, akuzohet se përplasi për vdekje endacakun. Ndalohet një person në Tiranë, dyshohet për vodhi 5 laptopë


Një 23-vjeçar është arrestuar nga policia e Fierit pasi akuzohet se ka aksidentuar për vdekje një person i cili dyshohet se ka qenë një endacak i shtrirë në rrugë.

Sipas bluve në pranga ka rënë i riu me iniciale A.M. Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës ndërsa viktima nuk është identifikuar ende.

Njoftimi

“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 23 vjeç, pasi gjatë mbrëmjes së djeshme, në aksin rrugor Fier-Levan, në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”, duke drejtuar automjetin tip “Benz” ka aksidentuar një shtetas i cili dyshohet se ishte endacak i shtrirë në rrugë. Shtetasi i aksidentuar ka ndërruar jetë në spitalin rajonal Fier. Po punohet për identifikimin e viktimës. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.”

Një 39-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi akuzohet për vjedhje. Sipas policisë personi me iniciale A.H. dyshohet se kishte kryer disa vjedhje në dyqane e qendra tregtare duke përvetësuar disa laptopë. Ai ishte shpallur në kërkim e është ndaluar sot.

Njoftimi

“Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Elektroniks”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3.

Zbardhen dhe dokumentohen 5 raste të vjedhjeve në biznese të ndryshme dhe qendra tregtare, vihet në pranga autori i dyshuar. Sekuestrohen katër laptopë dhe veshje që dyshohet se autori i përdorte për kryerjen e vjedhjeve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Elektroniks”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi:

– A. H., 39 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, dhe i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 3, po për këtë vepër penale.

Ky shtetas, në kohë dhe në vende të ndryshme, dyshohet ka kryer vjedhje në biznese në zona të ndryshme të Tiranës. Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi A. H. është autor i 5 rasteve të vjedhjeve të laptopëve në biznese të ndryshme, konkretisht:

– Më datë 21.01.2022, në rrugën ”Luigj Gurakuqi”, dyshohet se ka vjedhur një laptop në një dyqan;

– Më datë 24.01.2022, në rrugën ”Luigj Gurakuqi”, dyshohet se ka vjedhur një laptop në një dyqan;

– Më datë 24.01.2022, në rrugën ”Xhanfize Keko”, dyshohet se ka vjedhur një laptop në një dyqan;

– Më datë 26.01.2022, dyshohet se ka vjedhur një laptop në një qendër tregtare;

– Më datë 27.01.2022, në Rrugën e Durrësit, dyshohet se ka vjedhur një laptop në një dyqan.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar katër laptopë dhe veshje që dyshohet se autori i përdorte për kryerjen e vjedhjeve.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”