Vendosni fjalën kyçe....

“Mbizotëroi diplomacia” – Borrell për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka reaguar pas heqjes së barrikadave në veri të Kosovës.

Borrell tha në një postim në “Twitter” se diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve dhe zgjidhjen e situatës.

Ai thekson se dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje ndërsa nxit për më shumë përparim në dialogun mes dy vendeve: Kosovë-Serbi.

“Diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje. Mirëpresim lidershipin e përgjegjshëm të presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Kurti. Tani kemi nevojë për përparim urgjent në Dialog.”– ka shkruar Borrell.

Për 20 ditë rresht rrugët kryesore në veri të Kosovës mbetën të bllokuara për qarkullim. Barrikadat ishin ngritur në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç, por kjo nxiti edhe më shumë tensionet mes të Kosovës dhe Serbisë.

Përveç veriut, më 27 dhjetor një barrikadë tjetër ishte vendosur në territorin e Serbisë, në afërsi të kufirit të Kosovës me Serbinë, në Merdare.

Por këtë të enjte nisi heqja e barrikadave, pas garancive që Serbia thotë se ka marrë nga NATO dhe BE-ja.