Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Klodian Zoto ka qenë menaxher i kompanisë së Arben Ahmetajt


Në konferencën e sotme me gazetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha foli për aferën e inceneratorëve duke përmendur dhe emrin e ish-ministrit të Financave Arben Ahmetajn.

Berisha ngriti shqetësimin se SPAK po kryen hetime selektive duke mos e hetuar Ahmetajn për hotelet e paguara nga biznesmeni i inceneratorëve, Klodian Zoto. Ai shtoi se Ahmetaj e ka patur Zoton menaxher në kompaninë e tij “Hermes”.

“SKAP është i implikuar direkt në këtë aferë dhe kjo provohet nga qëndrimi që është mbajtur me faturat e fshehura të njërit prej bosëve më qendror të aferës. Faturat e Arben Ahmetajt.

I cili, thotë se nuk e njoh Klodian Zoton, pavarësisht se ishte në makinë me të, kur u përmbys, por pretendon se kjo ia humbi memorien dhe nuk i vjen në memorie Klodian Zoto.

Klodian Zoton e ka pasur menaxher të Hermesit, kompanisë me të cilën ai ka vjedhur 13 miliardë impulse nga Albtelekomi, një shumë prej 13 milionë eurosh. Ky ka qenë menaxheri Klodian Zoto, të cilin trauma ia ka fshirë nga memoria. Nëse ka një binom të pandarë, absolut në aferën e SKAP-it, është binomi Rama-Agaçi, Ahmetaj-Zoto.

I siguroj qytetarët se kjo çështje do jetë çështje madhore e revolucionit demokratik dhe drejtësisë pas triumfit të PD.”- tha Berisha gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët.

Berisha akuzoi SPAK-un se nuk guxon të hetojë aferën, duke ndarë paratë me qeveritarët.

“Për këtë flet akti absurd, qëndrimi kriminal i moskonfiskimit dhe bllokimit të sipërmarrjes më të korruptuar në historinë e vendit, që është sipërmarrja e djegësve.

SKAP nuk guxon, se mesa duket ndan paratë me qeveritarët e kësaj sipërmarrje. Nuk ndodh në asnjë vend që për një sipërmarrje të arrestohen dhjetëra zyrtarë, dhe sipërmarrja të marrë çdo javë 1 milionë euro. Kjo do të thotë se paratë e djegësave e kanë djegur mirë edhe SKAP-in e partisë. Italiani që merr 300 mijë euro në ditë a javë, nuk është asgjë tjetër veçse një maskë e Ramës, Agaçit dhe Veliajt.”- thotë ai.