Vendosni fjalën kyçe....

Himara minoritet? Berisha: Absurditeti më i madh historik, si e binda Stephanopoulos se Kapodistria është shqiptar


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar vizitën e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dje në Himarë dhe deklaratën e tij se ishte një minortet grek.

Këtë deklaratë Berisha e konsideroi një absurditet historik.

 “Së pari, kryeministri i Greqisë, i një vendi partner, mik, mund të vizitojë çdo zonë të Shqipërisë, qoftë si zyrtar, qoftë si qytetar privat. Këtu duhet të jemi të çliruar nga çdo kompleks.

Mund të vizitojë Himarën dhe çdo zonë tjetër. Por, zhurma se Himara është minoritet është absurditeti më i madh historik.

Askush më shumë se himariotët nuk janë larim në gjak për identitetin e tyre kombëtar shqiptar.

Himara ka një realitet të pamohueshëm, se një pjesë e fshatrave flasin edhe shqip edhe greqisht. Qyteti, si çdo port, është i miksuar, shqiptarë kryesisht, por edhe grekë, venecianë.

Por këto, as gjuha, as mikstura, nuk e bëjnë Himarën gjë tjetër përveçse bastion i shqiptarizmës.

Himara, e njohur në histori, së bashku me malësitë e Alpeve dhe Sulin, kanë pasur kodet dhe kanunet e tyre. Ajo çka mund të them unë është kjo: patrikana duhet të shpallë një ndjesë publike ndaj himariotëve se në fakt, në periudhën kur ata qëndronin ndaj Portës, patrikana flirtonte edhe në kurriz të tyre. Gjë që i detyroi ata t’i drejtohen Vatikanit dhe të bëjnë një modifikim në besimin e tyre, të mbeten ortodoksë të afërt me ritin katolik.

Pra, në këtë kontekst, kryeministri i Greqisë mund të vizitojë çdo zonë, por Himara me të gjithë historinë dhe dokumentet e saj është shqiptare, përfshi edhe ato fshatra që janë bilingualë. Flasin edhe shqip, edhe greqisht. Ky është problem këshilltarësh.”- tha Berisha.

Më pas kryedemokrati nisi të tregonte një histori më ish-presidentin e ndjerë grek Konstantinos Stephanopoulos, dhe se si ai e bindi që Joani Kapodistria është është Gjirokastra.

“T’ju tregoj një histori me çështje këshilltarësh. Kam pasur miqësi me presidentin e ndjerë të Greqisë, Stephanopoulos. Po drekoja në një samit me të në Budapest. Duke biseduar për këto kontributet e ndërsjellta, përzierjet që kemi, shqiptarët kanë më shumë me grekët. I them se Kapodistria është nga Gjirokastra dhe i vëllai i tij quhej Ahmet. Ai më tha; Sali që nuk është grek e kam menduar për shkak të emrit, por mendova se ishte Venecian. ‘Jo’ i thashë është gjirokastrit, se kisha disa të vërteta për shtëpinë e tij. Për marrëdhëniet që kishte me Korfuzin atëherë. Çfarë ndodhi? Ky i thotë këshilltarit, që; Berisha më tha mua se Kapodistria është shqiptar, gjirokastrit dhe se i vëllai i tij quhej Ahmet. Dy javë rresht mediat greke flakë kundra meje, por Stefanopulos ishte njeri i ndershëm. Kërkoi dokumentacionin dhe doli me dokumente themelore të enciklopedive të para dhe doli se Kapodistria është shqiptar. Ai është hartues i Kushtetutës së Zvicrës. Stefanopulos ishte njeri i ndershëm dhe doli e tha: Berisha kishte të drejtë. Ngatërrojnë dhe këshilltarët. Kam pasur miqësi me të atin e Mitsotakis. S’ka thënë kurrë se Himara është minoritet, por ka dy gjuhësi. Himara është një bastion. S’i njihni ju betejat me turqit, por janë betejat nga më heroiket. Në një rast shndërruan në kocka 800 mijë ushtarë. Kishin me se të paguanin dhe ça bëni? I digjnin shtëpitë dhe njerëzit.”- tha ai.