Vendosni fjalën kyçe....

Partia e Lirisë: SPAK të hetojë pa humbur kohë korrupsionin në IKMT, të çojë para drejtësisë drejtoreshën Dallëndyshe Bici


Partia e Lirisë i ka bërë thirrje SPAK-ut që të hetojë IKMT-në duke e akuzuar atë për veprimtari kriminale e korruptive.

Në denoncimin e bërë, Sekretari i Përgjithshëm Blushi tha se hulumtimi i fundit i News24 ndaj IKMT-së dhe drejtoreshës Dallëndyshe Bici tregon se inspektoriati në fjalë është prej kohësh kamzhiku i kryeministrit Rama kundër qytetarëve.

Sipas Blushit, audiopërgjimi i denoncuar nga media është provë tejet e rëndë dhe që duhet hetuar deri në zbardhjen e shkeljes së ligjit e ndëshkimit të përgjegjësve.

“Inspektorati famëkeq Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, i shenjuar më herët edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit si një prej institucioneve më ligjshkelëse në vend, prej kohësh është kthyer në kamzhikun ndëshkues të Edi Ramës ndaj të pambrojturve, armikun më të egër të lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Publikimi nga media prestigjoze NEWS 24 e një audio-përgjimi të zyrtarëve më të lartë të IKMT që kërkojnë para për të dhënë një leje shfrytëzimi në plazhin e Ksamilit dhe që ndërtimi të mos kalojë me rreth të kuq në listën e shembjeve, është një tjetër provë shumë e rëndë, që fakton se IKMT është veçse një strukturë thellësisht e korruptuar. Është kjo arsyeja pse IKMT shkel hapur ligjin, duke injoruar edhe vendimet e gjykatave, për zbatimin e verbër të urdhrave politikë të një skizofreni si Edi Rama që nuk njeh Kushtetutë, ligj dhe çdo të drejtë themelore. IKMT është sot është treguesi më i qartë i modelit fashist të Qeverisë bandë të “Rilindjes”, që pa paralajmërim, në shkelje të çdo ligji dhe procedure, teksa mbyll sytë për katet, pallatet dhe kullat pa leje të oligarkëve në mes të Tiranës, nëpërmjet akteve të pashembullta të terrorit ndaj qytetarëve dhe të paligjshmërisë shembën pallatin në Rr. “Myslym Keta”, Teatrin Kombëtar, pronat e qytetarëve tek Astiri, Bregu i Lumit dhe 5 Maji, një biznes të ligjshëm dhe model si “Prestige Resort.” – tha Blushi.

Ai shtoi më tej prishja e pronave të qytetarëve dhe hedhja e tyre në rrugë është një nga krimet më të shëmtuara të kryeministrit Rama e bandës së tij të ‘rilindjes’ dhe ato nuk do falen kurrë.

“E ftojmë SPAK  të administrojë urgjentisht këtë audio-përgjim të publikuar nga NEWS 24 dhe të gjitha provat e denoncuara dhe të bëra të njohura botërisht për aktivitetin kriminal dhe korruptiv të IKMT dhe të çojë sa më parë para drejtësisë të gjithë zinxhirin drejtues të këtij institucioni famëkeq, nga drejtoresha Dallëndyshe Bici tek inspektori më i thjeshtë i IKMT i përfshirë në këtë paligjshmëri. Shkatërrimi i pronave të qytetarëve dhe bizneseve, hedhja në rrugë të madhe e fëmijëve, të moshuarve, burrave dhe grave është një nga krimet më të shëmtuara të Edi Ramës dhe Bandës së “Rilindjes” që nuk do të amnistohen kurrë.” – mbylli deklaratën Blushi.