Vendosni fjalën kyçe....

Dallëndyshe Bici pas audios së “News 24”: Gangsterët në media nuk ndryshojnë nga ata të rrugës, Irfan Hysenbelliu më ka në shënjestër


Drejtoresha e IKMT-së Dallëndyshe Bici, ka reaguar pas audiopërgjimit të publikuar sot nga televizioni “News 24”, ku një çift nga Ksamili po përpiqeshin për të siguruar një leje të shfrytëzimit të plazhit, ndërsa inxhinieri Urbanistik i Bashkisë së Sarandës i orientonte që të bëjnë gati ryshfetin për drejtuesit e lartë të IKMT-së.

Në një postim në “Facebook”, Bici thotë se prej një muaji ajo është vënë në shënjestër të mediave të biznesmenit Irfan Hysenbelliu, pas konflikteve për shembjen e resortit të tij “Prestige” në Golem.

“Gangsterët në media, nuk ndryshojnë shumë nga gangsterët e rrugëve

Prej një muaji jam vënë në shënjestër të mediave të z.Irfan Hysenbelliu. Unë nuk di fort gjëra nga media, por nëse gazetaria shqiptare është në shërbim të pronarëve dhe jo publikut, nëse është kamzhik për hakmarrjet e tyre, nëse është mjet përfitimesh, më vjen keq për gazetarët. Sot ishte turpi i rradhës i urrejtjes që ka verbuar ndërtuesin e paligjshëm të objektit ‘Prestigj’ në bregdetin e Kavajës të cilin IKMT e prishi pak javë më parë, ku me një video të tre viteve më parë, synon paturpësisht të më intimidojë personalisht, të baltosë punën e institucionit që drejtoj, të na armiqësojë me njerëzit që vetëm po na falënderojnë për hapësirat që u kthejmë në emër te ligjit, dhe të shfryjë mllefet e tij si bej i rënë nga vafti.“- thotë drejtoresha e IKMT-së.

Bici thotë se ajo nuk mban përgjegjësi se për çfarë premtojnë punonjësit e varur prej saj: “Unë, Dallëndyshe Bici, nuk kam mbajtur dhe nuk mbaj përgjegjësi për askënd se çfarë thotë, çfarë premton, apo çfarë manipulon. Sekush ka kokën e vet mbi shpinë. Unë përgjigjem para ligjit, ndërgjegjes dhe publikut për firmën time dhe urdhërat e mi.”

Bici thotë se ajo nxit çdo qytetar që ta kontaktojë atë direkt, nëse çdokush punonjës i IKMT, apo që paraqitet si i IKMT i bën presion.

Ky reagim i Bicit vjen pasi televizioni “News 24” sot ka publikuar një audiopërgjim ku denoncon korrupsionin në Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit drejtuar nga ajo (kliko këtu).

Në këtë audio, dëgjohet një çifti bashkëshortësh Foti dhe Sofi Doda duke folur me inxhinierin urbanistik të bashkisë së Sarandës Ariel Balani, ku biseda është përqendruar mbi përpjekjet e qytetares në fjalë për të marrë lejen e shfrytëzimit të plazhit para biznesit të saj në bregdetin e Ksamilit. Që në fillim inxhinieri Urbanistik i Bashkisë së Sarandës e orienton çiftin që të bëjnë gati ryshfetin për drejtuesit e lartë të IKMT.

REAGIMI I BICIT

Gangsterët në media, nuk ndryshojnë shumë nga gangsterët e rrugëve

Prej një muaji jam vënë në shënjestër të mediave të z.Irfan Hysenbelliu. Unë nuk di fort gjëra nga media, por nëse gazetaria shqiptare është në shërbim të pronarëve dhe jo publikut, nëse është kamzhik për hakmarrjet e tyre, nëse është mjet përfitimesh, më vjen keq për gazetarët. Sot ishte turpi i rradhës i urrejtjes që ka verbuar ndërtuesin e paligjshëm të objektit “Prestigj” në bregdetin e Kavajës të cilin IKMT e prishi pak javë më parë, ku me një video të tre viteve më parë, synon paturpësisht të më intimidojë personalisht, të baltosë punën e institucionit që drejtoj, të na armiqësojë me njerëzit që vetëm po na falënderojnë për hapësirat që u kthejmë në emër te ligjit, dhe të shfryjë mllefet e tij si bej i rënë nga vafti.

Unë, Dallëndyshe Bici, nuk kam mbajtur dhe nuk mbaj përgjegjësi për askënd se çfarë thotë, çfarë premton, apo çfarë manipulon. Sekush ka kokën e vet mbi shpinë. Unë përgjigjem para ligjit, ndërgjegjes dhe publikut për firmën time dhe urdhërat e mi. Nxis, si përherë, çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë, kudo dhe kurdoqoftë të më kontaktojë direkt, nëse çdokush punonjës i IKMT, apo që paraqitet si i IKMT i bën presion. Mos të hezitojë! Do të jem përherë në krah dhe në mbështetje të qytetarëve që zbatojnë ligjet e zhvillojnë pronën e tyre sipas rregullave e pa u hyrë në hak mijëra qytetarëve të tjerë. Por do të jem përherë përballë shantazhuesve, grabitësve të pasurive të Shqipërisë, përfituesve, le të jenë këta edhe të mbrojtur nga media, nga gazeta, portale, televizione e analistë që nuk di si paguhen për shërbimet e tyre. Unë nuk jam në luftë me askënd. Nuk kam hesape “për të larë” me askënd. Unë jam punonjëse e shtetit dhe në shërbim të publikut. Mund të kem gabime në punën time, por ky shtet funksionon me ligje dhe rregulla, jo në mëngjes bëjmë moral në media dhe në darkë bëjmë gangsterin në terren. Gangsterrët e mediave, vetëm kostumet e shtrenjta i dallojnë nga gangsterët e rrugëve. Unë nuk kam frikë asnjë prej të dyve, sepse i shërbej njerëzve sipas ligjit.