Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Zhupës: Ministrja Bilali u dha grante OJQ-ve të lidhura me Fondin Shqiptaro-Amerikan dhe djalit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit


Partia Demokratike ka denoncuar ministren e Sipërmarrjes, Edona Bilali, se i ka përdorur fondet e ministrisë që drejton për të shpërndarë miliona lekë të taksapaguesve për shoqërinë e saj e persona të lidhur me PS-në.

Deputetja Ina Zhupa tha nga selia e PD-së se nga hulumtimi i bërë nga media, del se Bilali u ka dhënë dy grante me blerë 88 milionë lekë dy organizatave që janë pjesë e Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

“Ministrja e Sipërmarrjes, Edona Bilali e meriton ministrinë që i kanë dhënë, sepse me të vërtetë merr përsipër shumë. Inovacionin e parë në sipërmarrje e bëri kur shpalli shefin e saj Edi Rama, Zeus, pra zot i gjithëfuqishëm në mitologjinë greke.  Të dytin e ka bërë së fundmi duke shpërndarë miliona lekë të shtetit në grante për shoqërinë e vet dhe shokët e partisë sipas investigimit të emisionit PIRANJA. Sypatrembur nga ligji dhe pa u skuqur nga turpi, ministrja i ka dhënë dy grante me vlerë 88 milionë lekë, dy organizatave që janë pjesë e rrjetit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Edona Bilali dhe dy shefat e AADF, Mata e Sarapuli, nuk e kanë parë konfliktin e interesit në faktin se janë që të dy anëtarë të bordit të qendrës që përfiton grante dhe njëkohësisht kanë anëtarët e AADF ne komisionin qe i jep grantet. Ky konflikt i hapur interesi, që vetë i bëjnë organizatat dhe vetes ia japin paratë, ngjan si një darovitje tipike ballkanike.” – tha Zhupa.

Deputetja demokrate shtoi më tej duke thënë se Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka qenë kohët e fundit në qendër të debatit për koncesionin e Parkut të Butrintit.

Zhupa shtoi më tej se përveç dy granteve të lartpërmendura, përfitues  është edhe Flladi Agolli, djal i drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit i cili tha ajo, ka fituar 40 milionë lekë për start up-e.

“Sa për kujtesë të publikut, Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim ka qenë në qendër të debatit kohët e fundit për koncensionin e Butrintit. Ky ka qenë shqetësimi i madh që, unë si deputete, dhe Partia Demokratike kanë ngritur vazhdimisht sa i takon këtij rasti. A mos, një aset kombëtar dhe ndërkombëtar si Butrinti, përdoret për interesat flagrante personale dhe private duke devijuar fonde dhe dëmtuar trashgiminë?! Një pjesë e përgjigjes jepet nga përfshirja e dy krerëve të AADF në një skemë të pastër përfitimi pavarësisht konflikti të hapur të interesit. Një rast tjetër i granteve për start upe është një emër tashmë i fort-lakuar në media për abuzime me fondet. Flladi Agolli, i biri i Dritan Agollit, drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka përfituar 40 milionë lekë për Start-up-in e tij. Kohë më parë Dritan Agolli u denoncua për shpërblimin e të birit me 500 milionë lekë, duke e shpallur fitues për një libër gatimi, shefin e restorantit të tij.” – shtoi Zhupa.

Në fund Zhupa denoncoi se tjetër përfitues nga fondet e ministres Bilali janë edhe Altin e Arbi Bamllari, babë e bir, të cilët kanë përfituar 50 milionë lekë me anë të dy kompanive të tyre, ‘Skytech’ dhe ‘3DSKY’.

“Ministrja e sipërmarrjes në keqperdorim të parave nga arka e shtetit, ka darovitur edhe një familje tjetër, me sa duket të afërt me të dhe partinë. Altin dhe Arbi Bamllari, babë e bir, kanë marrë 50 milionë lekë për kompanitë e tyre “Skytech” dhe “3DSKY”.  Gjithashtu, Bilali ka dhënë një grant prej 50 milionë lekësh për Kamela Haskon, auditore që e mesa duket ka qenë bashkëpunëtore e Edonës kur kjo drejtonte një kompani konsulencash. Hasko së bashku me bashkëshortin menaxhojnë zyrën e auditit “AKH consulting” që është larg te qënurit inovative, rinore, apo teknologjike. Prova të tilla nga ministria e Sipërmarrjes shohin të rinjtë shqiptarë, që marrin përsipër të braktisin Shqipërinë dhe te nisem me gomone deteve të Europës. Prova të tilla dalin e teprojnë për të kuptuar se Shqipëria është në rrezik dhe se ne duhet t’i dalim zot. Të gjithë bashkë!” – mbylli denoncimin Zhupa.