Vendosni fjalën kyçe....

Ish-kardinali regjistroi thirrjen telefonike me Papa Françeskut, përdoret në gjyq – Media


Një ish-kardinal i rangut të lartë në gjyq për shpërdorim detyre dhe shpërdorim të fondeve të kishës regjistroi fshehurazi një telefonatë ‘sekretetë ndjeshme’ me Papa Françeskun, thanë mediat që citojnë një gjykatë të Vatikanit.

Sipas tyre, biseda, e cila u incizua nga Giovanni Angelo Becciu dhe u luajt gjatë gjyqit, kishte të bënte me shpenzimin e parave të Vatikanit për lirimin e një murgeshe të kapur në Afrikë.

Dikur një këshilltar i afërt i Papës, Becciu me origjinë italiane u shkarkua dhe iu hoqën privilegjet e tij kardinale në vitin 2020 mes një polemike mbi blerjen me humbje të një blloku apartamentesh luksozë në Londër.

Becciu ka mbajtur disa poste të larta në Vatikan, ku mbikëqyri donacionet dhe kanonizimin e shenjtorëve. Ai është mes dhjetë personave të akuzuar aktualisht për krime financiare, duke përfshirë kanalizimin e parave të kishës përmes fondeve dhe kompanive në parajsat fiskale. Ai mohon çdo akuzë.

I pandehuri e regjistroi telefonatën me Papën në korrik 2021, kur Françesku ishte ende duke u shëruar nga një operacion i vështirë në zorrë, iu tha gjykatës. Becciu i kërkoi Papës të konfirmonte një pagesë për lirimin e një murgeshë kolumbiane që ishte rrëmbyer nga militantë të lidhur me Al-Kaedën në Mali.

“A më dhatë apo jo autorizimin për të filluar operacionet për lirimin e murgeshës?” – pyeti Becciu gjatë telefonatës Papën, cituar nga AFP. Thuhet se Papa u përgjigj se ai nuk e mbante mend ‘në mënyrë të qartë’, por i kërkoi Becciu-t që ta bënte kërkesën e tij me shkrim.

Murgesha e quajtur Gloria Cecilia Narvaez Argoti u rrëmbye në vitin 2017 dhe u lirua në tetor 2021. Becciu dëshmoi në maj se Françesku nënshkroi të shpenzonte deri në 1 milion dollarë për lirimin e Argotit.

Libero Milone, një auditor i punësuar më parë nga Vatikani për të ekzaminuar financat e tij, paditi kishën këtë muaj për presion ndaj tij për të dhënë dorëheqjen në 2017 mbi akuzat për përvetësim dhe spiunazh.

Milone, së bashku me Ferruccio Pinocco, një koleg auditor i shkarkuar në të njëjtën kohë, pretenduan se Vatikani njollosi reputacionin e tyre. Milone i tha New York Times se ai beson se provat e përdorura kundër tij ishin dhënë nga Becciu.