Vendosni fjalën kyçe....

Erdogan hedh poshtë paralajmërimet e SHBA-së: Do i luftojmë terroristët, pavarësisht se partnerë të kujt janë


Turqia është e vendosur për të ‘çrrënjosur’ terroristët pa marrë parasysh se ku janë apo kush i konsideron si partnerë, deklaroi të premten Presidenti Rexhep Tajip Erdogan.

Komentet e tij vijnë pasi Uashingtoni protestoi ndaj Ankarasë për një sulm ajror që ‘kërcënoi drejtpërdrejt’ trupat amerikane që punojnë me milicitë kurde në Siri.

“Pavarësisht se me kë bashkëpunojnë terroristët, Turqia do t’i mbajë gjithmonë përgjegjës për çdo pikë gjaku që ata derdhin.” – tha Erdogan në një fjalim në kantierin detar të Stambollit. Presidenti turk iu bashkua kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif për përurimin ceremonial të ‘PNS Khaibar’, një nga katër korvetat që Islamabadi ka porositur nga Turqia.

Erdogan tha gjithashtu se ‘askush nuk mund t’i japë leksione Turqisë, e cila është i vetmi aleat i NATO-s që luftoi krah për krah kundër DAESH-it dhe fitoi’, duke iu referuar grupit terrorist Shteti Islamik (IS, dikur ISIS).

Që nga e diela, Ankaraja ka kryer sulme ajrore dhe artilerie në Sirinë veriore dhe Irak. Objektivat e saj janë milicitë kurde që Turqia i konsideron përgjegjëse për sulmin terrorist të 13 nëntorit në Stamboll që vrau gjashtë dhe plagosi 81 persona.

Të mërkurën, aeroplanët turq bombarduan një vendndodhje vetëm 300 metra nga një bazë amerikane pranë Hasakah, duke bërë që Pentagoni të akuzojë Turqinë për rrezikimin e trupave të saj dhe luftën kundër IS.

“Sulmet e fundit ajrore në Siri kërcënuan drejtpërdrejt sigurinë e personelit amerikan që po punon në Siri me partnerët lokalë për të mposhtur ISIS-in dhe për të mbajtur në paraburgim më shumë se dhjetë mijë të burgosur të ISIS-it.” – tha sekretari i shtypit i Pentagonit, Patrick Ryder. Ai shtoi se përshkallëzimi i vazhdueshëm kërcënon ‘përparimin shumëvjeçar’ të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja.

Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar u përgjigj të premten duke thënë se Ankaraja po synon vetëm terroristët dhe se ‘nuk bëhet fjalë që ne të dëmtojmë forcat e koalicionit apo civilët’.