Vendosni fjalën kyçe....

Serbia refuzon propozimin franko-gjerman për Kosovën


Serbia ka refuzuar një propozim për Kosovën të paraqitur nga Franca dhe Gjermania, ka zbuluar për gazetarët zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i vendit, Ivica Daçiç.

Plani i kishte bërë thirrje Beogradit që të mos kundërshtonte pranimin e Kosovës në OKB si një vend anëtar, në këmbim të mbështetjes financiare të BE-së dhe një rrugë të shpejtë për anëtarësimin në bllok.

Në një intervistë për median serbe Novosti, e cila u publikua të dielën, Daçiç tha: “Në planin e Scholz dhe Macron, Serbisë i ofrohet të pranojë Kosovën në Kombet e Bashkuara në këmbim të një perspektive të mjegullt evropiane.”

Megjithatë, ky propozim është i papranueshëm për Beogradin pasi bazohet në premisën se ‘pavarësia e Kosovës tashmë është një punë e përfunduar’, vuri në dukje diplomati.

Sipas ministrit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Serbisë votoi njëzëri për të hedhur poshtë planin e sugjeruar nga Berlini dhe Parisi. Daçiç theksoi se Serbia është e gatshme të zhvillojë diskutime konstruktive dhe se ka propozimet e veta që synojnë arritjen e një kompromisi.

Njohja e Kosovës si shtet anëtar i OKB-së, megjithatë, ndonëse formalisht është e ndryshme nga njohja zyrtare, për të gjitha qëllimet praktike do të nënkuptonte pikërisht këtë, diçka me të cilën Beogradi nuk mund të pajtohet, sqaroi kryediplomati serb.

Ai gjithashtu pranoi se zyrtarët serbë janë plotësisht të vetëdijshëm për faktin se ata ;nuk do të kenë kurrë një zgjidhje që do të jetë ideale për ne’.

Në mes të tetorit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, konfirmoi ekzistencën e propozimit franko-gjerman për Kosovën. Ai tha në atë kohë se udhëheqja serbe do të ‘duhet të diskutojë dhe të mendojë për këtë’, duke shtuar, megjithatë, se Beogradi nuk do të pranonte që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së pasi kjo do të binte ndesh me Kushtetutën e Serbisë.

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gervalla-Schwarz, nga ana e saj, pretendoi se kreu i shtetit serb kishte keqinterpretuar planin dhe kishte thënë vetëm ‘dhjetë për qind të së vërtetës’.