Vendosni fjalën kyçe....

“Çdo qytetar mund të regjistrohet për të votuar”- PD tregon rregullat dhe afatet për Primaret


Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në PD po zhvillon një konferencë me gazetarët në lidhje me primaret.

Në këtë konferencë u diskutua mbi afatet dhe rregullat për regjistrimin e kandidatëve në primare, për kryetar bashkie.

Kryetarja e Komisionit Albana Vokshi tha se Primaret do të zhvillohen në 72 degët e Partisë Demokratike dhe se çdo qytetar mund të regjistrohet si simpatizant apo votues potencial  në afatet e përcaktuara dhe të vendosë të votojë për kandidatin që preferon në bashkinë ku jeton.

“Ajo që unë dua të theksoj është fakti që primaret janë një process gjithëpërfshirës. Është risi.

Për herë të parë është aplikuar nga Partia Demokratike në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, në 6 bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet. Por tashmë primaret do të zhvillohen në 72 degët e Partisë Demokratike.

Ato jo vetëm nuk lënë jashtë askënd, por kushdo që beson që ka mbështetje në elektoratin opozitar, por jo vetëm, mund të kandidojë sipas rregullave të caktuara që ne do t’i shpjegojmë edhe sot.

Kushdo qytetar që beson që vota e tij vlen, mund të regjistrohet si simpatizant në afatet e përcaktuara dhe të vendosë, pra të votojë, për kandidatin për qytetar të parë në bashkinë ku jeton. Primaret janë themeli i besueshmërisë së PD-së. Primaret janë themeli i besueshmërisë së PD-së, e cila lindi si parti e votës së lirë, njerëzve të lirë.

Primaret do t’ju tregojnë qytetarëve përtej PD-së se ne jemi alternativa më e mirë për të qeverisur bashkitë, për të qeverisur vendin.”– tha Vokshi.

Anëtari i KOKOE, Eno Bozdo tha se primaret këtë radhë do të kenë dy elementë të rëndësishëm që nuk i kishin primaret e para të 6 Marsit.

Këto janë vendosja e balotazhit dhe vendosja e një debati midis kandidatëve të PD-së.

“KOKOE organizon procesin zgjedhor të primareve. Pra në rolin e një Komisioni Qëndror të Zgjedhjeve.

Nuk kemi të bëjmë vetëm me votimin e anëtarësisë, por do votojnë edhe simpatizantët dhe votuesit potencialë. Pasi të shpallet data e primareve me vendim të Kryesisë, KOKOE shpall në mënyrë automatike hapjen e procesit zgjedhor që i paraprim fushatës së kandidatëve dhe përfundon me datën e mbajtjes së primareve.

Kemi dy operacione që po ndodhin dhe KOKOE është përgjegjëse: regjistrimi i kandidatëve dhe fillimi i procesit në degët kryesore për regjistrimin e simpatizantëve.

Ne mendojmë se data e përshtatshme për të bërë përzgjedhjen e kadidatëve përfundimtare do të jetë 6-13 nëntor.

Këtu përcaktohen edhe dy gjëra të rëndësishme që nuk i kemi pasur në primaret e para më 6 mars: vendosja e balotazhit dhe vendosja e një debati midis kandidatëve të PD në primare që vlen për anëtarët, simpatizantët dhe të gjithë të tjerët që janë të interesuar ta ndjekin.”- tha Bozdo.

Ndërkohë Fatbardha Kadiu shpjegoi afatet për regjistrimin e kandidatëve për kryetarë bashkie.

“Ne ju bëjmë me dije se afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit për kandidatët për bashkinë Tiranë, Durrës dhe Elbasan është është data 6 Nentor, ora 20:00 dhe për gjithë bashkitë e tjera është data 8 Nentor ora 20:00.

Pas këtij afati nuk do të pranohet asnjë aplikim, pasi dokumentacioni do t’i kalojë Kryesisë së Pd për vlerësimin e kandidaturave dhe është data 13 kur Kryesia e PD-së bën dhe lançimin e kandidatëve. Në këtë kuadër, degët do të marrin masa për përcjelljen e njoftimit të të gjithë kandidatëve të interesuar duke dorëzuar aktivet në seksione dhe grupseksione. Këtu dua t’ju bëj me dije që bazuar në nenin 12 të Statutit, kandidatët kanë tre opsione: të vetëpropozohen, propozohen nga anëtarësia, të propozohen nga kryesia e PD-së. Pas datës 13, është afati 21 ditor që besoj është i mjaftueshëm për të bërë fushatën e brendshme të kandidatëve dhe së fundmi, ajo çka është më e rëndësishme, kandidatët kanë të drejtë jo vetëm të dorëzojnë dokumentacionin jo vetëm në degë por edhe direkt në Komisionin për Organizimin dhe Kontrollin e Operacioneve Elektorale. “- tha Kadiu.

-Lexo udhëzimin e plotë duke klikuar këtu

–Lexo rregulloren e plotë këtu