Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim me tritol në një lokal në Tiranë, autorët filmohen nga kamerat e sigurisë



Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit në një lokal në Tiranë, në zonën që mbulohet nga Komisariati nr. 4, duke shkaktuar dëme materiale.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se lënda plasëse është vendosur pas një konflikti të mëparshëm, ndërsa policia po heton rrethanat e ngjarjes.

Burime bëjnë me dije se pronarët e lokalit nuk kanë dhënë deklarime lidhur me konfliktet e mundshme apo autorët e dyshuar.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë shihet një person që afrohet pranë lokalit, vendos lëndën plasëse dhe largohet në këmbë pak para shpërthimit.

Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe gjurmimin e autorit përmes kamerave të sigurisë dhe provave të mbledhura në vendngjarje.