Vendosni fjalën kyçe....

E reja nga Bilishti e akuzoi se i dogji makinën, reagon Bledjon Nallbati: Do ta padis për shpifje


Makinës së Deizi Arapit, 27-vjeçares e cila u bë e njohur për publikun një muaj më parë pasi u arrestua për kundërshtimin e efektivëve të policisë, i është vënë sot flaka para shtëpisë së saj në Bilisht. Por kjo nuk është hera e parë që 27-vjeçares i digjet automjeti dhe për këtë ajo ka drejtuar gishtin nga ish-kryebashkiaku dhe deputeti i PD-së, Bledjon Nallbati.

E reja ka dalë sot para medieve duke thënë se me Nallbatin ka pasur një debat verbal për pushimin e nënës së saj nga puna si pastruese.

“I kërkoj ndihmë shtetit pasi është hera e dytë që më ndodh dhe ka lidhje me një konflikt të vjetër. Katër vite më parë mamaja ime është pushuar nga puna si pastruese padrejtësisht dhe unë jam konfliktuar me ish- kryebashkiakun Bledjon Nallbati.

Pas konfliktit mu dogj makina e parë. Dje gjatë gjithë ditës më ka ndjekur një person me të cilin dhe kam shkëmbyer fjalë mbrëmë. Ai është punonjës i karburantit në pronësi të Bledion Nallbatit. Në vendngjarje është gjetur një bidon benzine nga ky karburant, ashtu si herën e kaluar. Djegien e makinës së parë policia e konsideroi aksidentale por ja që ngjarja po përsëritet. Nëse nuk merren masa nuk është çudi që unë të përfundoj në ndonjë kanal.”– ka deklaruar ajo.

Lidhur me këto akuza, deputeti Nallbati ka reaguar nëpërmjet komunikimit me telefon për Top Channel, pasi aktualisht ndodhet jashtë shtetit.

Ai është shprehur i habitur me akuzat dhe thotë se do e padisë të renë për shpifje kur të kthehet në vend.

“Jam i habitur nga këto akuza. Unë kam patur vetëm një konflikt verbal kur isha kryebashkiak, por asgjë më tepër. Besoj se është nxitur nga dikush tjetër për të bërë këto akuza. Sa i përket punonjësit tim nuk mbaj përgjegjësi për çdokënd që kam të punësuar me kë zihen dhe çfarë bëjnë. Sapo të kthehem nga Gjermania do të bëj një kallëzim për shpifje.”- ka deklaruar Nallbati.