
Një 73-vjeçar nga Fieri, i cili vuante dënimin në burgun e Lezhës ka ndërruar jetë në urgjencën e QSUT-së.
Ai ka shfaqur një gjendje të rënduar shëndetësore dhe është dërguar fillimisht në Spitalin e Lezhës, e më pas për trajtim të specializuar në QSUT në Tiranë, ku edhe ka ndërruar jetë.
Shkaku i vdekjes dyshohet të ketë qenë një ‘arrest kardiak’, pasi 73-vjeçari ishte me masë mjekimi të detyruar që nga viti 2021. Ndërkohë Burgjet njoftojnë se po ndjekin rastin sipas procedurave përkatëse.
Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve
“Sot, më datë 25.05.2026, rreth orës 12:20, ka ndërruar jetë pacienti A.B, i datëlindjes 01.07.1953, lindur dhe banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Vrasje me dashje”, i cili ishte i shtruar prej datës 17.05.2026 në urgjencën e QSUT-së.
Pacienti ishte transferuar në IEVP Lezhë më datë 27.11.2021, me masë mjekimi të detyruar. Pas shfaqjes së një gjendjeje të rënduar shëndetësore, ai është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal Lezhë dhe më pas është transferuar për trajtim të specializuar në QSUT, ku edhe ka ndërruar jetë. Sipas informacionit paraprak mjekësor, shkaku i vdekjes rezulton “arrest kardiak”. Rasti po ndiqet sipas procedurave përkatëse. Shprehim ngushëllimet për familjarët e të ndjerit.”