Vendosni fjalën kyçe....

Njihuni me Giorgia Melonin, politikanen për të cilën sot po flasin të gjithë dhe që mund të bëhet e para kryeministre grua e Italisë


Giorgia Meloni, kryetarja 45-vjeçare e partisë së ekstremit të djathtë Vëllezërit e Italisë, është gruaja për të cilën po flasin sot të gjithë jo vetëm në Itali por edhe në Evropë.

Një udhëheqëse me përvojë dhe komunikuese, Meloni është gati të bëhet kryeministrja e parë grua e Italisë, duke udhëhequr qeverinë më të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore. Se sa do realizohet kjo do e tregojnë rezultatet e zgjedhjeve të sotme.

Kush është Giorgia Meloni

Giorgia Meloni lindi në Romë më 15 janar 1977. Ajo është rritur vetëm nga nëna e saj, pasi babai i braktisi pasi ajo erdhi në jetë.

Meloni e filloi karrierën e saj politike kur ishte vetëm 15 vjeçe në lagjen Garbatella të klasës punëtore të Romës, kur iu bashkua Frontit Rinor, krahut rinor të Lëvizjes Sociale Italiane neofashiste.

Ajo ndihmoi në themelimin e Brothers of Italy në vitin 2012, katër vjet pasi u bë ministrja më e re e vendit nën qeverinë e drejtuar nga Silvio Berlusconi.

Partia e saj ka ulur mbështetjen elektorale të aleatëve të saj tradicionalë – Forza Italia e Berlusconit dhe Liga e Matteo Salvinit – duke u rritur nga 4% në zgjedhjet e 2018-s në rreth 25% sipas sondazheve të fundit.

Në vitet e saj në krye të Brothers of Italy, Meloni ka arritur të transformojë një parti fillimisht neofashiste, të lindur nga hiri i epokës së Musolinit, në një forcë politike populiste dhe nacionaliste të aftë për të tërhequr votues nga elektorati i djathtë dhe i moderuar.

“Unë jam Giorgia, unë jam një grua, unë jam një nënë, unë jam një e krishterë.”– është një nga thëniet më të njohura të Melonit, që u bë virale në rrjetet sociale dhe madje është kthyer në një këngë rap.

Gjithë rrugëtimin dhe përpjekjet e saj Meloni ia kushton të bijës. Në ditën e heshtjes zgjedhore, Meloni publikoi një foto me vajzën të cilën e falenderon për durimin e saj, pavarësisht mungesave të shumta të saj si nënë.

“Faleminderit për durimin tënd gjatë gjithë këtyre viteve dashuria ime. Faleminderit për mënyrën se si, pavarësisht gjashtë viteve të tua, kuptove, dhe durove mungesat e mia të shumta. Faleminderit për mënyrën se si vrapon tek unë kur vij në shtëpi, dhe kur më thua ‘mami paç fat! ‘. Është e gjitha për ty. Të dua.”- shkruan Meloni.

Ginevra quhet vajza e Melonit dhe partnerit të saj Andrea Giambruno, një gazetar që punon për kanalin televiziv Mediaset të Silvio Berlusconit.

Analistët thonë se gjatë fushatës elektorale, Meloni ka biseduar me dy audienca të ndryshme. Nga njëra anë, aleatët ndërkombëtarë, të cilët ajo u përpoq t’u siguronte mbështetjen e saj për mbrojtjen e Ukrainës dhe qasjen e shëndoshë pro NATO-s. Nga ana tjetër, publiku i brendshëm dhe elektorati i saj tradicional, për të cilin ajo këmbëngul në politika anti-migrante dhe anti-LGBTQ.

Me sloganin populist „Së pari Italia dhe italianët!” Meloni kërkon më shumë të mira sociale për familjet, më pak burokraci europiane, ulje taksash, ndalimin e imigracionit. Ajo dëshiron të rinegociojë kontratat e BE-së dhe antarësimin e Italisë në bashkimin monetar në zonën e euros. Abortet refuzohen prej saj, po ashtu si edhe martesat gay.

Blloku i djathtë i udhëhequr nga partia e Melonit ka të ngjarë të sigurojë një shumicë të rehatshme në Dhomën e Ulët dhe Senat në votimin e së dielës.

Të dhënat e sondazheve sugjerojnë se Vëllezërit e Italisë dhe aleatët e saj duhet të sigurojnë midis 44% dhe 47% të votave, duke siguruar një epërsi të fortë ndaj aleancës së qendrës së majtë.

Por sipas analistëve, një fitore dërrmuese që do t’i siguronte bllokut të djathtë një shumicë prej dy të tretash në parlament, e cila është e nevojshme për të ndryshuar Kushtetutën pa u konsultuar me votuesit përmes referendumit, duket shumë e pamundur.

Meqenëse pjesa e votuesve të pavendosur mbetet e konsiderueshme në rreth 25%, ekziston ende mundësia që aleanca e krahut të djathtë të sigurojë një shumicë më të vogël se sa sugjerojnë sondazhet.

Mbështetësit më të vendosur të Melonit, të cilët u mblodhën në Piazza del Popolo qendrore të Romës në ditën e mbylljes së fushatës zgjedhore të enjten, besojnë se “Giorgia” do të jetë mjaft e fortë për të qeverisur duke u rezistuar kompromiseve.