Vendosni fjalën kyçe....

Abazoviç thirrje parlamentit malazez: Votoni shkarkimin e presidentit, kemi qenë peng i një njeriu për 30 vite


Dritan Abazoviç thotë se Parlamenti i Malit të Zi duhet të votojë iniciativën për shkarkimin e presidentit Milo Gjukanoviç.

Abazoviç, i cili tashmë mban postin e kryeministrit teknik deri në krijimin e një qeverie të re, u shpreh se një akt i tillë dërgon një mesazh të rëndësishëm politik.

“Ne kemi qenë peng të një njeriu për 30 vjet. Pas tridhjetë vitesh qeverisje, jo gjithçka shkon mirë. Mendoj se duhet ta votojmë këtë iniciativë dhe në këtë mënyrë parlamenti dërgon një mesazh të qartë se çfarë mendon për presidentin e vendit.”- tha Abazoviç.

Ai beson se kjo është plotësisht logjike.

“Tani jemi një maxhorancë e sapokonstituuar, e cila mbështet krijimin e një qeverie të re, por ajo është mjaft e larmishme me subjekte të ndryshme politike, me vizione të ndryshme. Por ne duhet ta përpunojmë.”– tha Abazoviç për Zërin e Amerikës.

Kryeministri teknik u shpreh se zgjidhja me siguri do të vijë në zgjedhje, por, siç tha ai, nuk është presidenti ai që do të vendosë se kur do të mbahen ato zgjedhje.

Deputetët e shumicës parlamentare, Frontit Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA kanë nisur në Kuvendin e Malit të Zi, më 23 shtator, procedurën për shkarkimin e presidentit, Milo Gjukanoviç.

Ata pretendojnë se Gjukanoviçi ka shkelur Kushtetutën gjatë procedurës për emërimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.